Dy vizita në një ditë, pas Londrës Zelensky pritet të vizitojë Parisin

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky , do të vizitojë Parisin në mbrëmje, sipas informacioneve të televizionit francez BFM.

Presidenti ukrainas ndodhet aktualisht në Londër, ku u takua me kryeministrin britanik Rishi Sunak.

Ai u prit në aeroport nga kryeministri britanik Rishi Sunak , ndërsa presidenti ukrainas pritet të vizitojë mbretin Çarls dhe t’i drejtohet Parlamentit britanik. Zelensky do të vizitojë gjithashtu trupat ukrainase që stërviten aktualisht në Britani, në një kohë kur Kievi i bën thirrje Perëndimit që të dërgojë më shumë armë për t’iu kundërvënë forcave ruse.

“Vizita e Presidentit Zelensky në Mbretërinë e Bashkuar është një dëshmi e guximit, vendosmërisë dhe luftës së vendit të tij dhe një dëshmi e miqësisë së pathyeshme midis dy vendeve tona ,” tha Sunak në një deklaratë.

Kryeministri britanik po i reziston ende thirrjeve të ish-kryeministrit Boris Johnson për të dërguar avionë luftarakë në Ukrainë dhe është zotuar të zgjerojë trajnimin e trupave ukrainase për të përfshirë pilotët luftarakë dhe marinsat.

Britania do të njoftojë gjithashtu sanksione të mëtejshme më vonë sot që do të synojnë ata që kanë ndihmuar presidentin rus Vladimir Putin “të grumbullojë pasurinë e tij personale dhe kompanitë që përfitojnë nga makina e luftës e Kremlinit”.

Vizita e Zelenskyt në Londër është e dyta jashtë vendit të tij që kur Rusia pushtoi Ukrainën pothuajse një vit më parë, pas vizitës së tij në Uashington DC në dhjetor./albeu.com/