"Edukatoret na lidhnin me zinxhirë e na linin pa bukë", rrëfimi i dhimbshëm i jetimit
Pëlqej
Shpeshherë të mbetur vetëm fillikat në këtë botë, fëmijët jetimë kalojnë vështirësi të mëdha në jetë.

Kështu është edhe rasti i një jetimi që u braktis në jetimoren e Shkodrës nga prindërit e tij.

27 vjeçari Nertil Tola tregon se jeta e tij ka qenë e mbushur plot me pengesa e vështirësi nga më të ndryshmet.

Kujton me dhimbje periudhën në jetimoren e Shkodrës, e madje shenjat e zinxhirit që edukatoret përdornin për ta lidhur (edhe pse vetëm një vogëlush), janë ende në këmbën e tij.

Më pas Nertili u zhvendos në fshatin Sos ku kushtet ishin shumë më të mira se në Shkodër, por në moshën 18 vjeçare ka dalë në rrugën e madhe të jetës, i vetëm, pa shtëpi, pa para e pa asnjë përkrahje.

Para se të kalonit në fshatin Sos, në cilat jetimore keni qëndruar?
Fillimisht kam qenë në jetimoren e Shkodrës ku kemi pasur disa problematika të mprehta. Ka pasur një keqtrajtim çnjerëzor, e në shumë raste kemi ngelur edhe pa bukë. Kushtet nuk kanë qenë të mira dhe kujdestarët nuk na trajtonin mirë, madje na rrihnin kot e na lidhnin me zinxhir. Madje kam ende një shenjë te këmba nga zinxhiri që na vendosnin. Nuk kam asnjë kujtim të bukur aty, nuk dua ta kaloj nëpër mend tmerrin që kam përjetuar aty. Ishim rreth 70 fëmijë që jetonim në këto kushte, një traumë e vërtetë. Fatmirësisht fshati Sos na mori në mbikëqyrje.

Po në fshatin Sos si ju trajtonin? A kishte kushte më të mira dhe a arritët të arsimoheshit aty?
Në vitin 1997 kam kaluar në fshatin Sos, ku kushtet kanë qenë jashtëzakonisht shumë të mira. Nënat kujdeseshin për ne dhe aty kam bërë kopshtin dhe shkollën 8 vjeçare. Më tej jashtë qendrës së fshatit Sos (në shtëpinë rinore) kam kryer dhe gjimnazin. Faktikisht gjimnazin nuk e ndoqa deri në fund pasi paragjykoheshim shumë për faktin se ishim jetimë. Vetë mësuesit nuk na përkrahin dhe si i ri që isha ndihesha keq e zgjodha punën në vend të arsimimit. E si pasojë shkollën e mesme e bëra më vonë dhe më tej edhe universitetin në degën “Marrëdhënie me Publikun”.

Mund të na përshkruani disa prej punëve që keni bërë?
Fillimisht kam punuar në një kompani filmi e merresha me përkthime, ndërsa më vonë kam qenë pjesë e një reviste. Me ndihmën e përfaqësuesve të fshatit Sos u futa në një kurs kuzhine dhe personi që më mësoi më qëndroi goxha pranë e madje edhe më punësoi. Në gjithë këtë periudhë që kam bërë punët e sipërpërmendura kam qenë në komunitetin rinor dhe aty merrja një kuotë prej 16 mijë lekësh që t’i mbaja për ndonjë kafe. Sot në Shqipëri duhet të kesh mbështetjen e miqve apo të afërmve për të filluar një punë të mirë.

Sa kohë qëndruat në komunitetin rinor?
Nuk qëndrova shumë. Vetëm një vit e pastaj dola në rrugë të madhe ku u përballa me gjithë vështirësitë e jetës, pavarësisht se isha vetëm 18 vjeç. Fshati Sos më mbështeti për rreth 3 muaj me gjysmën e pagesës së qirasë, ndërsa pjesën tjetër e paguaja vetë.

Si e ke përballuar jetesën i vetëm?
Në shtëpinë me qira jetoja së bashku me një shok e ndanim përgjysmë gjithë shpenzimet e bëja punë nga më të ndryshmet për të mbijetuar, çfarë të dilte.

A ke pasur interes të njohësh prindërit e tu? A i ke kërkuar ndonjëherë?
Po, në moshën 18 vjeçare kam filluar të kërkoj për prindërit e mi. Më ka ndihmuar shumë një mik i imi për gjetjen e tyre, e fillimisht gjeta babain, i cili ishte në Pogradec. Kujtoj se e kam takuar për herë të parë te rruga e Elbasanit në kryeqytet e kemi folur shumë gjatë.

Cila ishte arsyeja që prindërit iu kishin braktisur në një jetimore?
Sipas babait tim, ai nuk dinte asgjë për shtatzëninë e nënës sime, e ata nuk ishin të martuar, pra jam një fëmijë jashtë martese. Ai ishte ndarë nga nëna ime, por pasi u informova realisht mbi situatën kuptova se faji më i madh për braktisjen time, ishte i babait me të cilin tashmë flas e kam një marrëdhënie normale.

Po nënën a e keni takuar?
Jo asnjëherë! Më kanë thënë që jeton në Maqedoni, por nuk kam asnjë informacion rreth saj. Kam pyetur shumë për të, por nuk kam mundur ta gjej.

Në gjithë këto vite a keni pasur ndonjë mbështetje nga shteti, veçanërisht në periudhën që u larguat nga fshati Sos?
Në gjithë këto vite nuk kam pasur asnjë mbështetje nga shteti shqiptar, s’më kanë siguruar asgjë. Të gjitha i kam fituar dhe siguruar me forcat e mia. Madje më kanë thënë që unë nuk përfitoj nga statusi i jetimit, pasi prindërit e mi janë gjallë. Por edhe ata që kanë statusin e jetimit, marrin vetëm një ndihmë prej 30 mijë lekësh të vjetra që nuk iu del për asgjë.

Tani me kë jetoni dhe ku punoni?
Tani jetoj me bashkëshorten time, në një shtëpi të vogël me qira. Punoj te QSUT-ja, si përgjegjës parkingu dhe mund t’ia dalim. Dëshiroj të ndihmoj çdo jetim pasi e di vetë ndjesinë e të qenit pa asnjë përkrahje.

Cila është thirrja juaj ndaj shtetit shqiptar?
Kërkoj nga shteti shqiptar që ne jetimëve të na sigurojë një punë që të mund të mbijetojmë. Ka shumë fëmijë që dalin nga fshati Sos e nëpërkëmben, marrin rrugë të këqija, meshkujt përfundojnë në burgje apo femrat viktima të trafikimit. Edhe vetë fshati Sos duhet të ketë më shumë përgjegjësi për punësimin e jetimëve që rriten aty.
Shtuar më 20/09/2018, ora 19:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori