E vranë me breshëri plumbash, zbulohet lidhja e fortë e autorëve me vrasësin e efektivit të RENEA-s
Detaje të reja janë zbuluar rreth vrasjes që tronditi Shkodrën ditën e djeshme, ku mbeti i vdekur 46-vjeçari Ridvan Hyseni. Policia ka bërë me dije se autorët që shkarkuan karikatorin e automatikut ak-47 plot janë vëllezërit Duel dhe Hydajet Mehmedaj.

Mehmedajt konsiderohen si fis i fortë në zonën Shkodrës dhe janë nipat e Gëzim Mehmedajt, i cili në vitin 1992 vrau efektivin e RENEA-s, Arben Ujka.

Gjithashtu kanë lidhje të fortë edhe me familjen e Ibrahim Licit. Vëllezërit Mehmedaj janë dajat e Bajram Bregut, miku i Ibrahim Licit, një prej të dyshuarve për vrasjen e vëllezërve Bilali.

Vrasja e Ridvan Hysenit ndodhi paraditen e së shtunës në fshatin Mushan, ku u gjetën 30 gëzhoja automatiku. Ndryshe nga çfarë u aludua fillimisht se kishim të bënim me një ekzekutim për gjakmarrje, policia njoftoi se ngjarja kishte ndodhur për motive të dobta. Ridvan Hyseni u vra pasi ndërhyri për të sqaruar një konflikt ku ishte përfshirë djali i tij.

Autori i dyshuar i vrasjes së 46 vjeçarit në Shkodër është shtetasi Duel Mehmedaj, i cili u konfliktua përpara vrasjes me djalin e viktimës, ndërsa në makinë me të ka qenë edhe vëllai i tij, Hydajet Mehmedaj.

Sipas policise, janë arrestuar deri tani tre persona, mes tyre një nga vëllezërit, si dhe janë shpallur në kërkim dy të tjerë që mendohet se kanë lidhje me ngjarjen, dhe akuzohen për moskallëzim krimi.
Shtuar më 29/11/2020, ora 08:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori