E veja rrëfen tmerrin e grabitjes në Kamëz: Burri u vra duke mbrojtur djalin
Rita Buci, e veja e tregtarit që u ekzekutua nga grabitësit në dyqanin e familjes në Kamez, dëshmoi në gjykatën e Tiranës në procesin ndaj dy të pandehurve për krimin, Vladimir Kurti e Rruzhdi Hoda. Mes lotësh, gruaja e cila mbeti edhe vetë e plagosur në ngjarjen, rrëfeu se i shoqi u vra pasi tentoi të mbronte djalin shtatë vjecar nga grabitësit.

“Në mbrëmje në dyqan erdhi djali i vogël, 7 vjeç e me kërkoi ta ndihmoja për detyrat. Ishim gati duke mbyllur qepenat, kur Agimi më thirri në magazinë, se po bënte sistemime. Mora disa portokalle të kalbura për ti hedhur dhe sa dola në dyqan përpara meje ishin dy persona të maskuar. Njëri kishte pistoletë në dorë, ndërsa tjetri mendoj se kishte thikë. Me zuri tmerri nga djali dhe hodha gjëra në drejtim të tyre. më qëlluan me pistoletë në këmbë. Agimi erdhi menjëherë dhe u përlesh, pasi njëri nga personat e maskuar kishte kapur djalin të supi. Ai e qëlloi me armë”-ka thënë ajo.

E lidhur pas një paterice që prej mbrëmjes së 25 prillit të një viti më parë, që i tjetërsoi rrjedhën e jetës gruaja tha se shpresonte shumë që I shoqi të mbijetonte, edhe pse vetë nuk mundi ti jepte ndihmë.

“Në dyqan hyri vajza. Mes ulërimash më pyeti çfarë ndodhi. I thashë “na vranë hajtdutët”. Thirri xhaxhain dhe ngritën Agimin e mua dhe na transportuan në spital. Agimi nuk ia doli dot”.

Sa për autorët e krimit, nëna e katër fëmijëve tha se nuk arriti ti njihte, pasi ishin të maskuar. Pas saj dëshmoi e bija, e cila tregoi momentet e tmerrit kur gjeti prindërit të mbuluar nga gjaku.

Për akuzën e grabitjes me armë më pasoje vdekjen e tregtarit Agim Buci dhe plagosjen e së shoqes Rita, akuzohen dy të rinjtë Vladimir Kurti e Ruzhdi Hoda, shkruan BW.

Procesi ndaj të pandehurve zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, pasi ndiqet nga familjarët e të dyja palëve si personave të akuzuar ashtu dhe palës së dëmtuar, ndaj forcat e policisë qëndrojnë në gatishmëri për të shmangur ndonjë përplasje të mundshme mes tyre.
Shtuar më 20/02/2019, ora 15:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori