E trishtë: Bashkëshorti detyron 30 vjeçaren të abortojë pasi fëmija i katërt ishte sërish vajzë

Ka tre vajza dhe bashkëshorti e detyroi që të abortonte vajzën e katërt. Kjo është historia e një gruaje 30-vjeçare me origjinë nga Hasi, e cila ka dhënë një intervistë për “Shqipëria Live”.

Ajo nuk ka pranuar të tregojë portretin e saj dhe është prezantuar me emrin Jona. Kjo e fundit ka zbuluar se pas lindjes së 3 vajzave ata dëshironin shumë të kishin një djalë. Madje burri e ka bërë atë fajtore për mos lindjen e djemve, por vetëm vajza.

“Jam nënë e 3 vajzave. Ngela shtatzënë përsëri dhe dëshira jonë e madhe ishte të kishim një djalë. Por morëm vesh se në jetë do të vinte vajza e katërt. Për bashkëshortin tim kjo gjë ishte e rëndë dhe gjatë një debati mori në telefon në mjek që të shkonim të bëja abortin. Mjeku na tha që të mos e bëja abortin pasi kishte edhe probleme. Por burri nuk mori asgjë parasysh dhe tha se do të bëhet e pikë”, ka treguar 30-vjeçarja.

E pyetur se si ndihej pasi bëri atë akt, Jona u shpreh se gjendja psikologjike ishte katastrofike.

“Kisha shumë ndjenjë faji. Dëshiron që të vdesësh edhe ti, të mos ngrihesh nga ai krevat. Normalisht që jam penduar. Në atë moment e ndjen veten të pafuqishme për të mbrojtur fëmijën tënd. Është njësoj si fëmija që ke në bark dhe atë që e shikon. Unë jam fajtorja se bëj vajza”, tha nëna e 3 vajzave.

Ndërsa e pyetur se pse pranoi që të kryente abortin, 30-vjeçarja rrëfeu se ishte e detyruar nga bashkëshorti i saj.

“Nuk kisha zgjidhje tjetër. Nëse do kundërshtoja, marrëdhënia jonë prej 12-vitesh do përfundonte. Po sakrifikoja një për 3 të tjera. Ai ec me idenë se djali është i shtëpisë dhe vajzat lindin në derën e huaj dhe shkojnë tek e tyrja. Më kërcënonte se do merrte një grua tjetër që të bënte djem”, tha ajo.

Madje Jona shtoi se bashkëshorti e ka shoqëruar atë në spital, pasi donte të sigurohej se po bëhej aborti. Ajo vijoi duke thënë se burri i saj është shumë indiferent ndaj këtij veprimi që kanë bërë dhe i thotë “i ke tre vajza, për çfarë e do një tjetër”.
Shtuar më 30/11/2020, ora 14:05

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori