E tradhtoi policia, detaje tronditëse nga ekzekutimi mafioz Alket Muhos pasi denoncoi parcelat me hashash
Alket Muho, 43 vjeç u gjet i vrarë dje pranë fshatit të tij në Memaliaj.

Organet ligjzbatuese dyshojnë se ai u ekzekutua nga grupe kriminale që operojnë në zonë pasi ky i fundit kishte informuar për një parcelë me kanabis, e cila u shkul pavarësisht hezitimit të efektivëve të policisë lokale.

Muho ishte personi që informonte policinë për parcelat me drogë që mbilleshin në zonë, por kohët e fundit kishte hasur një mungesë vullneti të policisë lokale për të shkatërruar parcelat me kanabis.

Nisur nga situata e krijuar, ai ka kontaktuar me organet e rendit në Tiranë duke bërë që SHÇKB të urdhërojë shkatërrimin e një parcele me 4 800 bimë kanabis sativa.

Të nesërmen, policia ndërhyri duke konstatuar parcelën ashtu siç kishte informuar Muho, gjë e cila duket se ka sjellë edhe vrasjen e tij.

Albeu.com mëson se krahas gjetjes së porositësve të vrasjes së Muhos, SHÇKB po heton për të zbuluar se kush ishte personi brenda policisë që dekonspiroi Muhon tek grupet kriminale duke bërë që ai të vritet më pas.

Ka dyshime të forta që ai është dekonspiruar nga individë brenda policisë, të lidhur me grupet kriminale. /albeu.com/
Shtuar më 07/09/2018, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori