E rrahu dhe e dëboi nga shtëpia bashkë me vajzën 13 muajshe, flet gruaja: E dua ende
Pasi e dhunoi ish-bashkëjetuesi e dëboi nga shtëpia, sot 26-vjeçarja së bashku me vajzën e saj 13 muajshe ndodhet në mes të katër rrugëve.

Ajo ka ardhur sot të rrëfejë historinë e jetës në emisionin “Me zemër të hapur” në Neës24, të kërkojë ballafaqim me ish-bashkëjetuesin si dhe ndihmë nga instancat shtetërore. Dy vjet më parë vajza u njoh rastësisht me djalin nga Kosova, pasi ky i fundit së bashku me familjen e tij kishte zgjedhur bregdetin e Durrësit të pushonte me familjen e tij.

Të rinjtë u njohën në plazh dhe vendosën të fejoheshin pas dy muajsh. Sipas vajzës, familja e djalit ishte dakord që ajo të shkonte në Kosovë e të jetonte me ta.

Vajza la të ëmën në Shqipëri dhe vendosi të niste jetën me djalin. Por pas një periudhe shumë të shkurtër bashkëjetesa filloi të nxirrte një sërë problemesh në raportin e të rinjve.

Vajza rrëfen se filluan grindjet të cilat sipas saj shkaktoheshin nga familja e djalit. Situata arriti deri në dhunë, ndërsa në jetë kish ardhur edhe një fëmijë, një vajzë e cila aktualisht është 13 muajshe.

Ndodhur në një situatë të tillë 26-vjeçaria kuptoi se rrezikohej në atë familje, pasi ajo rrëfen se ish-bashkëjetuesi kishte filluar ta dhunonte madje kishte tentuar edhe ta vriste. Por kjo e fundit menjëherë kishte lajmëruar të ëmën e cila e solli vajzën në Shqipëri.

Sot kjo familje gjendet në mëshirë të fatit, e ëma nuk ka asnjë të ardhur, ndërsa 26- vjeçarja së bashku me fëmijën e saj 13 muajshe nuk ka asnjë mbështetje. Sot ajo do të bëj apel për ndihmë si dhe do të ballafaqohet me ish-bashkëjetuesin i cili i ka dhënë atësinë vajzës por nuk jep asnjë të ardhur për të.

“Isha 23 vjeçe kur u njoha me bashkëshortin, kur ndodhesha në plazh me mamin. Prindërit e tij më pëlqyen shumë, më thanë që kishin një djalë. Ai ndodhej në Kosovë nuk ishte me ta. Më kërkuan të shkëmbeja numrat e telefonit.

Pasi ata kanë shkuar në shtëpi në Kosovë, djali i tyre më mori në telefon. Më tha ‘prindërit e mi të kanë parë të kanë pëlqyer, do vij të takohemi nga afër dhe të të shoh’. Pas 2 javësh erdhi nga Kosova i shoqëruar nga disa familjarë të tij. Babai i tij ka ngulmuar të më bënte nuse në atë familje.

Folëm, mami më la të flisja vetë nëse do pëlqeheshim apo jo. Ndenjëm bashkë, në fillim mu duk shumë djalë i mirë, nuk di çfarë ndodhi më vonë. Unë i tregova që se kam babain, ai më tregoi jetën e tij, por më ka fshehur shumë gjëra. S’më ka thënë që ka qenë 2 herë i martuar dhe unë isha gruaja e tretë e tij. Këto i zbulova kur shkova atje tek ai”, tregoi 26-vjeçarja.

Ajo rrëfeu se dhuna nisi pas lindjes së vajzës.
“Nuk i premtova se do bëhesha gruaja e tij, në fillim i kërkova të dija kush ishte, ku jetonte, me çfarë jetonte. Atëherë më ftoi dhe pas 2 javësh kam shkuar atje me mamin, dajën dhe tezen. U takuam me njerëzit e shtëpisë.

Ai jetonte në një fshat të Kosovës. Po ndërtonte një shtëpi të re, u futëm tek njerëzit, u takuam dhe folëm. Mami i tha që kemi ardhur t’ju njohim e të shohim se ku jeton djali.
Babai i atij tha ‘ju e dini nëse bini dakord nëse jo e dini ju’. Atë ditë bëmë takimin përfundimtar dhe u fejuam.

Mu duk djalë shumë i mirë. Veçmas nuk dolëm ne bashkë të dy. Vitin e parë ka qenë djalë shumë i mirë, më pas se di çfarë i ndodhi, fliste fjalë shumë të rënda dhe sillej ftohtë.

Vitin e parë më respektonte dhe sillej shumë mirë. Që kur kam hyrë në atë shtëpi ka qenë kunata që ishte beqare në shtëpi që filloi konfliktin.

Ajo bëntë gjithçka, unë nuk i flisja nuk ia ktheja. Ajo bënte ligjin në shtëpi, çfarëdolloj gjëje që duhej të bënim duhet të pyesnim atë. Ajo çfarë nuk i fliste burrit tim, kur shkoja në shtëpi ai bëhej agresiv, ishte tjetër njeri”, tregoja gruaja e re.

Ajo tha më tej se bashkëshorti kishte një sjellje krejtësisht tjetër kur ishte larg nga familjarët e tij. Ndërsa e akuzoi se i ka futur thonjtë në fyt.

‘Kur kthehesha nga mami im më dukej i ndryshuar komplet. Edhe telefonata nuk më merrte të më pyeste. Kunata kishte karakter shumë të ndryshëm me mua. Ajo punonte. Unë rrija më kunatën e vogël që është një vajzë e mrekullueshme. Në fillim vjehrri sillej mirë me mua pastaj dhe ai ndryshoi, vjehrra kishte debate gjithmonë me mua. Kunata fuste zjarrin në familje, fjala e saj dëgjohej.

Ato nuk më respektonin fare si nuse shtëpie që isha. Situata ndryshoi që kur dolëm me shtëpi të re. Ngaqë ata rrinin shumë njerëz në një shtëpi. Aty filluan çarjet me burrin.
Ai dëgjonte nënën e tij për mua, i mohonte punët që bëja unë. Vjehrra kur ishte vetëm me mua në shtëpi sillej shumë ndryshe, kur vinte burri në shtëpi sillej shumë më mirë.

Fëmija ishte me dëshirë, kur isha shtatzënë nuk isha e qetë. Kur kisha lindur vajzën, kur ajo ishte 7 muajshe ai më dhunoi. Kur ka lindur, gocës i kanë tërhequr këmbën dhe ia thosha atij që vajza nuk ishte mirë. Ai më thoshte ‘vajza nuk ka asgjë’. E çuam tek mjeku, e vizituam. Mjeku tha që e kishte këmbën e nxjerrë.

Ai më dhunoi mua se pse insistoja se vajza e kishte këmbën e sëmurë.
Unë mendova ta çonim fëmijën në Shqipëri. Ai nuk pranonte. Atë natë se di se si e ka bërë, më futi thonjtë në grykë. Unë ia largova vetë dorën dhe mora policinë 2 herë në telefon dhe denoncova që burri më kishte dhunuar.

Ky iku direkt nga shtëpia dhe nuk erdhi fare atë natë. Unë isha shumë e stresuar. Të nesërmen telefonova nënën time e cila erdhi dhe më mori”, tha 26-vjeçarja.

Pas kësaj, partneri i ka kërkuar falje dhe ajo është rikthyer, por me sa duket situata ka vijuar njësoj. Ajo kërkoi të bashkohet me partnerin e saj por duke i kërkuar të vijë të jetojë me të dhe vajzën në Shqipëri.

“Ai më tha ‘hajde në shtëpi, kam bërë gabim, më fal’. U riktheva në shtëpi atëherë. Nuk më kanë mbaruar ndjenjat për të. Nëse ai ka ndryshuar unë rikthehem për vajzën dhe akoma e dua atë. Nga ai dua jo të rikthehemi atje po ai të vijë dhe të jetojë me mua dhe vajzën.

Ai më ka shkruar dhe më ka kërkuar foto të vajzës, unë s’ia kam çuar sepse ai nuk interesohet fare për të, nuk telefonon të pyesë dhe as nuk dërgon asgjë”, tregoi 26-vjeçarja.

Pas fjalëve të saj, partneri i gruas së re dërgoi një mesazh në redaksinë e emisionit ku nuk pranonte të kthehej me Majlindën por nëse donte mund ta çonte vajzën tek i ati./BW


Shtuar më 14/10/2019, ora 14:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori