Sulmi në shkollën amerikane, autorja i kishte fshehur armët në shtëpinë e prindërve

Sulmuesja që ka lënë të vdekur gjashtë persona në një shkollë amerikane në Nashvill, Tenesi, ka blerë shtatë armë ligjërisht dhe i ka fshehur në shtëpi, ka thënë policia.

Hetuesit kanë thënë se prindërit e të dyshuarës kanë besuar se 28-vjeçarja nuk ka pasur armë dhe nuk e kanë kuptuar asnjëherë që ajo i ka fshehur diku në shtëpi.

Gjashtë persona, përfshirë tre fëmijë të moshës nëntëvjeçare, kanë vdekur si pasojë e sulmit në Shkollën Covenant.

Në mesin e të vdekurve kanë qenë edhe tre punëtorë të shkollës.

E dyshuara ka qenë “nën kujdes mjekësor për çrregullim emocional”, ka thënë policia.

Shteti amerikan, Tenesi nuk ka ligje që i mundësojnë policisë të konfiskojë armë nga të dyshuarit e dhunshëm.

Pavarësisht një hapësire të tillë ligjore, policia ka thënë se do t’i konfiskonte armët, nëse autoritetet do të kishin ndonjë paralajmërim që e dyshuara përbën kërcënim.

Policia ka biseduar me prindërit e të dyshuarës, Audrey Hale, e cila është vrarë më pak se 15 minuta pasi ka nisur sulmi.

Hale, e cila e ka identifikuar veten si transgjinore dhe ka qenë nxënëse e asaj shkolle, ka qenë e armatosur me tri armë, përfshirë një pushkë gjysmë-automatike.

Policia ka thënë se sulmuesja nuk e ka shënjestruar asnjë person në veçanti, mirëpo e ka shënjestruar “shkollën, ndërtesën e kishës”.

Ky sulm përbën incidentin e 131-të me të shtëna masive në Shtetet e Bashkuara këtë vit, sipas organizatës joqeveritare, Gun Violence Archive, e cila mbledh të dhëna për dhunën e shkaktuar me armë./rel


Shtuar 29.03.2023 08:07