KFOR-i shton prezencën në Kosovë, ambasadori amerikan thërret në takim 4 kryetarët e komunave në Veri

“Kryetari i ri të mos hyjë në ndërtesën komunale në Zveçan”, kjo është një ndër thirrjet e protestuesve serbë në veri të Koosvës.

Këtë të hënë situata është tensionuar në veri, me qytetarët serbë që janë mbledhur para komunave për të penguar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në komuna.

Gjithashtu prezenca e KFOR-it dhe e policisë së Kosovës është rritur ndjeshëm në Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, komuna ku ditëve të fundit ka pasur rritje të tensioneve., ndërsa është përdorur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Serbët lokalë të këtyre komunave  kundërshtojne ryetarët e rinj shqiptarë, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 23 prillit.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka ftuar në takim kryetarët e sapo zgjedhur në katër komunat veriore, pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur atje.

Kështu ka bërë të ditur kryetari i Zveçanit, Ilir Peci i cili ka treguar se takimi do të mbahet në Prishtinë duke filluar nga ora 09:00.
Në takim do të jenë edhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it, shkruan RTV21. Kështu konfirmuan Ilir Peci dhe kryetari i Zubin Potokut Izmir Zeqiri, të cilët pohuan se do të jenë prezent në këtë takim.

Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke shprehur shqetësimet e tyre dhe duke ripërsëritur deklaratën e para dy ditëve për të dënuar ashpër hyrjen me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës.

Po ashtu, në këtë deklaratë të përbashkët paralajmërohet Qeveria e Kosovës që “të mos ndërmarrë asnjë masë të re për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan”.

Më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, me asistimin e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, për të nisur punën, pasi një ditë më parë bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale. Hyrja e tyre në zyrat e komunave u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë. Policia e Kosovës ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.

Të paktën pesë policë pësuan lëndime. Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensionet./albeu.com/


Shtuar 29.05.2023 08:23