Fushata zgjedhore, Veliaj prezanton projektet për 4-vjeçarin e ardhshëm për Tiranën

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj prezantoi disa nga projektet për katër vitet e ardhshme në kryeqytet.

Në një intervistë në emisionin “Rudina” Veliaj u ndal kampusi i Qytetit “Studenti”. Ai tha se në katër vitet e ardhshme pritet të përfundojë edhe projekti për ndërtimin e Unazës së Re në 7 lotet e fundit të saj.

“Në katër vitet e ardhshme ne duam të përfundojmë kampusin e qytetit “Studenti”. Pra e kemi filluar në fillim, çerdhet, kopshtet, shkollat, si në një shtëpi. Me universitetet, kemi rregulluar Universitetin Bujqësor me 8 godina të reja, Mjekësinë te Farmacia 10 me dy godina të reja, Inxhinierinë te 21-i me katër godina të reja. Tani do të ketë një super kampus universitar te qyteti “Studenti.

Ne duam të përfundojmë Unazën e Tiranës. Unaza e Tiranës, kemi 7 lote ku po punohet. Një lot është Laprakë, shkolla “Andrea Stefani” te “Shqiponja” dhe deri te Bregu i Lumit. Çlirohet gjithë ai trafik që deri tani vjen dy semaforë në Laprakë. Tani do kalojë pa hyrë fare në Tiranë. Dhe në Tiranë do të hyjë vetëm një rrëke e atyre që kanë punë në sheshin “Skënderbej”, në qendër. 70% tashmë orientohet në Astir, 20% këtej dhe vetëm 10% e trafikut do hyjë mes përmes Tiranës. Dy lotet e tjera janë në Paskuqan. Pastaj rikthehet prapë autostrada nga ana tjetër, këtej e lumit tek lagja e re “5 Maji”, kalon në Tufinë, te Kodra e Priftit, Kodra e Kokonozëve dhe pastaj bashkohet në Farkë të Madhe aty ku tashmë ka mbërritur”, u shpreh Veliaj.

Ai përmendi edhe disa nga projektet në zonën e Bulevardit të Ri, duke theksuar se me ndërtimet e reja, ajo zonë e kryeqytetit do të njihet si Tirana e Re. Veliaj tha se në këtë zonë synohet të ndërtohen disa godina për disa nga institucionet kryesore në kryeqytet deri te muzeu i artit modern apo dhe qendra e panaireve.  “Ajo që duam të bëjmë te bulevardi i ri sepse Tirana sot është zhbalancuar. Ne do të çojmë aty bashkinë e re, muzeun e artit modern. Disa do të jenë pjesë e një koleksioni permanent, disa do të jenë koleksione të ndryshme që vijnë dhe vizitojnë.

Ne duam të kalojmë aty Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë që tashmë e ka hapësirën e vet në fillim të bulevardit të ri. Do të jetë Bashkia e re. Do të ruajmë pjesën tradicionale për gjërat e protokollit, për pritje, përcjellje. Ne kemi 70 vjet që i them Tiranë e Re, zonës së stadiumit Dinamo. Nuk mund të jetë më pas 70 vitesh Tiranë e re. Tirana e re do të quhet zona e Bulevardit të Ri. Tani që janë hapur themelet e ndërtesave të para, Qendra e Panaireve, Pallati i ri Kongreseve dhe Koncerteve, duke qenë se e ne kemi të limituar në 2 mijë vende. Tirana ka evente dhe aktivitete që kalojnë 5-6-7 mijë. Duke çuar 7-8 institucionesh publike, jep edhe besim që Tirana do të balancohet drejt veriut. Tirana në katër këto kuadratet mund të zhvillohet në mënyrë të njëtrajtshme”, u shpreh kryebashkiaku.

Një thirrje Veliaj e pati edhe për rivalët në garën për Bashkinë e Tiranës duke theksuar se pavarësisht si do të shkojë rezultati i zgjedhjeve, ai që votohet duhet të lejohet të punojë.

“Ftesa ime është pavarësisht si do shkojë rezultati i zgjedhjeve, kush votohet duhet të lejohet të punojë. Këto historitë si ato vonesat te Astiri, te sheshi, te bulevardi, me pistoleta te Liqeni, te Këndi i Lodrave, këto duhet të konsiderohen përrallë nga e kaluara. Kush fiton të lejohet të punojë dhe të çojë deri në fund këto projekte”, u shpreh ai.


Shtuar 2.05.2023 17:53