Kampion i së Dytë-s, AF Elbasani ngjitet në Kategorinë e Parë me rekord

Akademia e Futbollit Elbasani nga sezoni i ri do të luajë në Kategorinë e Parë.

Skuadra verdheblu barazoi 0-0 në transfertën me Labërinë dhe është shpallur kampion në grupin B të Kategorisë së Dytë. Tanimë skuadra nga Shqipëria qëndrore do kërkojë që të jetë sërish pjesë e elitës së Shqipërisë, duke dominuar një kampionat me garë të fortë sportive.

Me 55 pikë dhe asnjë humbje, Elbasani ka vendosur rekord në këtë kategori, duke lënë pas Pogradecin që do kërkojë një vend në të Parën nga zona play-off, shkruan Report Tv. Kujtojmë se AF Elbasani u krijua në verën e 2021 me miratimin e Këshillit Bashkiak të Elbasanit, duke zëvendësuar skuadrën e vjetër “KF Elbasani”, e cila për shkak të problemeve me financat shpalli falimentin.

Kujtojmë se KF Elbasani është ndër skuadrat me traditë në futbollin tonë, duke fituar dy herë titullin kampion (1984-85 dhe 2005-06), dy herë Kupën e Shqipërisë (1974-75 dhe 1991-92), si edhe Superkupën e Shqipërisë në 1991-92.