Pritet firmosja e marrëveshjes me vlerë 200 milionë dollarë, Kurti dhe Osmani takim me Blinken

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të priten nga sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Osmani, e cila bashkë me kryeministrin Kurti dhe ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po qëndrojnë në ShBA për nënshkrimin e marrëveshjes me MCC-në, ka bërë të ditur se takimi me Blinken do të ndodh sot në ora 16:30 sipas kohës lokale në Uashington D.C.

“Së bashku me kryeministrin Kurti, në këtë takim do të fokusohemi në thellimin e partneritetit strategjik me ShBA, duke adresuar sfidat me të cilat po ballafaqohet rajoni ynë, reformat që po i ndërmarrin institucionet tona si dhe fuqizimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.”, ka shkruar Osmani.

“Kosova është e bekuar me miqësinë dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara”, ka thënë në fund Osmani.

Ndërkaq, Bordi Ekzekutiv i Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) ka miratuar në fund të qershorit Programin Kompakt me Kosovën në vlerë prej mbi 200-milionë dollarësh. Marrëveshja ka të bëjë me projektet për energjinë.

Sipas njoftimit të mëhershëm të Qeverisë, programi do të përfshijë këto tri projekte:

  1. Rezerva dhe arbitrazh të energjisë (bateritë me kapacitet 170 MW, që ofrojnë rezervë 340 MWh),
  2. Zhvillimi i fuqisë punëtore dhe përfshirja e grave në sektor të energjisë, dhe
  3. Projekti i Institucionit Amerikan të Katalizatorit për Zhvillim.

Nga ky financim 200 milionë dollarësh do të vijë në formë granti nga SHBA-ja përmes MCC-së, rreth 35 milionë dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, ndërsa 2 milionë do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD).

Projekti i parë konsiston në blerjen dhe instalimin e baterive me kapacitet të lartë, që shërbejnë si rezerva të energjisë.