Tërhoqi vëzhguesit, KiE jep deklaratën zyrtare
Presidenti i Kongresit të Pushtetit Vendor në Këshillin e Evropës (KiE) ka dalë në një deklaratë për shtyp ku sqaron se përse nuk do të dërgohen në Shqipëri vëzhgues për zgjedhjet e 30 qershorit, këtë të dielë.

Në deklaratën e tij Anders Knape thotë se kongresi i pushtetit vendor në KiE nuk mund të vëzhgojë zgjedhje pa pjesëmarrjen kuptimplotë të forave opozitare. Në deklaratë Knape sqaron se nuk ka ndodhur kurrë që ky kongres të vëzhgojë zgjedhje ku nuk merr pjesë opozita. Nga ana tjetër po në deklaratë bëhet kujdes që Kongresi të distancohet nga debati politik dhe përfshirja në Shqipëri, duke u shprehur se Kongresi vetë nuk bën asnjë deklaratë për ligjshmërinë e zgjedhjeve, pasi ajo është një çështje e brendshme e Shqipërisë.

Deklarata e plotë:

"Në dritën e zhvillimeve të fundit dhe pasigurisë në Shqipëri në lidhje me pjesëmarrjen e plotë të spektrit politik të kandidatëve dhe partive në zgjedhjet lokale më 30 qershor 2019, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale ka vendosur të mos dërgojë mision vëzhguesish për zgjedhjet.

Duke pasur parasysh faktin se në 31 nga 61 komunat vetëm një kandidat është në garë për votimin lokal, është e vështirë të pritet një konkurrencë e rëndësishme politike dhe kjo nënkupton rrezikun logjistik për Këshillin se nuk është në gjendje të vendosë një mision të plotë përgjatë gjithë vendi, i cili është një procedurë standarde gjatë Misioneve të Zgjedhjeve të Kongresit në përputhje me rregullat tona.

Misionet e Kongresit bazohen në vëzhgimin e zgjedhjeve lokale dhe rajonale me pjesëmarrje të gjerë të forcave të ndryshme politike të një vendi, dhe kështu Kongresi asnjëherë nuk ka vëzhguar zgjedhje pa pjesëmarrjen kuptimplotë të opozitës.

Vendimi i Kongresit është marrë në konsideratë të të gjithë informacioneve të disponueshme për ne, si në lidhje me situatën politike dhe logjistike. Kongresi nuk bën asnjë deklaratë këtu për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve dhe kjo nuk ka të bëjë fare me pyetjen nëse dhe kur do të mbahen zgjedhjet lokale. Ky është vendim autonom vetëm i Shqipërisë ".
Shtuar më 26/06/2019, ora 20:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori