Jo vetëm abuzim, vjedhjet me tenderat tani po shkaktojnë edhe krime të rënda: Si Algert Alcani me të atin i vunë armën në kokë biznesmenit

Tendërët janë kthyer në një gangrenë të madhe për paratë publike. Institucionet janë duke bërë procedura tenderash me vlera kolosale pa patur konkurrencë në të, gjë që do të mund të rriste cilësinë e shërbimit dhe të ulet koston që duhet paguar me taksat e qytetarëve.

AlbEu ka denoncuar deri më tani një mori tenderësh që janë pa garë dhe mes procedurave tepër të dyshimta, por asnjë prej institucioneve të hetimit nuk ka lëvizur për të verifikuar.

Mirëpo, ndërkohë që deri më tani dukej sikur bizneset dhe drejtuesit e institucioneve merreshin vesh me njeri-tjetrin për të ndarë “plaçkën” e rrëmbyer nga taksat e qytetarëve, gjithçka është futur në terren kriminal me kërcënime për vrasje. Një biznesmeni në Cërrik i vunë armën në kokë që të tërhiqej nga tenderi për furnizimin me lëndë drusore Bashkinë e Tiranës, vetëm se një grup tjetër kërkonte marrjen e kësaj llokme nga taksat e qytetarëve.

Algert Alcani, bashkë me të asin Shaqirin dhe Edmir Boçin shkuan në Cërrik te biznesmeni Erald Myftaraj duke i kërkuar që të tërhiqej nga tenderi me vlerë 1 milionë euro që kishte marrë nga Bashkia e Tiranës, në të kundërt do t’i vrisnin familjarët.

Algert Alcani, ishte punonjës i Bashkisë së Tiranës dhe kjo duket se i ka dhënë krah për të kërcënuar një tjetër biznesmen që ta merrte ai tenderin dhe jo Erald Myftaraj.

Thonë që hajdutët nuk grinden kur vjedhin, por kur ndajnë plaçkën. Kanë rrëmbyer aq shumë nga taksat e qytetarëve, sa tashme po kacafyten për të ndarë atë që kanë gllabëruar nga taksat tona, edhe pse në këtë rast biznesmeni cërriks mund të jetë viktimë e sistemit të ngritur nga përbindëshat e parave publike. /albeu.com