Këlliçi prezanton planin: Tunel nën sheshin “Skënderbej” për letësimin e trafikut

Kandidati i Koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka prezantuar planin për ndërtimin e një nënkalimi tek sheshi “Skënderbej”, teksa ka hedhur idenë e ndërtimit të një tuneli nëntokës për makinat.

Sipas Këlliçit, kjo do të mundësonte lehtësimin e trafikut në qendër të Tiranës.

Këlliçi tha se nëse vazhdohet me këto ritme trafiku në Tiranë, qyteti do të shkojë në kolaps, teksa e cilësoi si një nga çështjet që duhet zgjidhur me prioritet.

“Ne ofrojmë sot një zgjidhje të thjeshtë por shumë të rëndësishme për trafikun në Tiranë, vecanërisht në qëndër të saj, sepse ai është kthyer prej vitesh në një makth për qytetarët e Tiranës. Dhe këtu nuk po flas vetëm për kohën e humbur dhe pamundësinë për të programuar, për secilin nga ne, takimet dhe oraret. Implikimet e një trafiku kaq të rënduar janë shumë më të mëdha për qytetarët e Tiranës: Së pari, kjo është një kosto shumë e lartë për buxhetin e familjeve. Familjet e Tiranës shpenzojnë dy herë më tepër karburant për makinat e tyre, si pasojë e një trafiku që nuk ndalon kurrë. Sipas përllogaritjeve tona, fatura finaciare për familjet që përdorin makinat, pikërisht për hir të trafikut, është më e madhe se 100 mijë lekë të vjetra në muaj (ose 100 euro në muaj); së dyti, edhe më e rëndësishme, ka të bëjë me shëndetin e banorëve. Ndotja në qendër të Tiranës si pasojë e trafikut është rreth 5 herë më e lartë. Ndërkohë në të gjithë Tiranën është shumëfishuar numri i të sëmurëve të aparatit respirator, vecanërisht është rritur numri i fëmijëve astmatikë pikërisht prej kësaj ndotjeje.

Nëse vazhdohet kështu në Tiranë, ky qytet do të kolapsojë. Në të vërtetë, jemi shumë afër kësaj pike. Sepse nuk mund të vazhdohet me ndërtimet pa asnjë planifikim urban, nuk mund të vazhdohet me flotë autobuzësh që janë jashtë kondicioneve teknike, nuk mund të vazhdohet pa parkime, pra, nuk mund të vazhdohet pa e rikonceptuar të gjithë këtë çështje nga e para! Trafiku në Tiranë është një çështje e cila duhet zgjidhur me prioritet absolut, për të gjitha arsyet e përmendura më sipër. Por siç edhe të gjithë e dimë, ajo duhet të vijë nga një sërë ndërhyrjesh që kanë lidhje me transportin cilësor, të sigurtë dhe falas, me korsitë e dedikuara të autobusëve të shpejtë, me biletat elektronike dhe aplikacionet ndihmuese për udhëtarët, me rikonceptimin total të lëvizshmërisë në Tiranë, me hapjen e rrugëve të reja dhe rikualifikimin e rrugëve dytësore, të cilat mund të shfryjnë trafikun, me vepra infrastrukturore që nuk zgjasin pafund siç është rasti i Unazës së Madhe, me një plan të mirëfilltë për parkimin si dhe me policinë bashkiake që nuk është aty vetëm për gjoba, po për të ofruar ndihmë dhe zgjidhje”, tha ai. /albeu.com