Vetëm 5 ditë para zgjedhjeve, Bashkia i jep Fushës parkimin te Teatri për të ndërtuar kullë

Ëndrra e vjetër e biznesmenit Shkëlqim Fusha për të ngulur një kullë të madhe në zonën e Teatrit Kombëtar më në fund është realizuar. Në datën 9 maj, vetëm 5 ditë para zgjedhjeve, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar një vendim që i jep kompanisë Fusha rreth 1270 metër katrorë tokë publike në zemër të Tiranës për të ndërtuar një kullë të lartë dhe në këmbim Bashkia do të përfitojë 50 për qind të sipërfaqes ndërtimore.

Bëhet fjalë për parkimin ngjitur me ish Teatrin Kombëtar që gjendet mes Torre Drinit dhe ndërtesës së Infosoft. Vendimi i Këshillit Bashkiak në orët më të nxehta të fushatës elektorale ka miratuar kontratën e sipërmarrjes që Bashkia e Tiranës ka negociuar me biznesmenin Fusha.

“Me propozim të kryetarit të Bashkisë, Këshilli Bashkiak vendosi dhënien për zhvillim të pasurisë me nr. 1/66, e llojit “Truall dhe ndërtesë”, në rrugën “Abi Toptani”, Tiranë, në këmbim të përfitimit të 50 % të sipërfaqes ndërtimore (nëntokë dhe mbi tokë), që do të ngrihet në pasurinë e llojit truall në pronësi të Bashkisë së Tiranës,” thuhet në vendimin e Këshillit.

Oligarkia.al ka mësuar se sipas kontratës së sipërmarrjes, veç 50 për qind të sipërfaqes ndërtimore në kullën e re që do të ndërtohet, Bashkia përfiton dhe sipërfaqen ndërtimore prej 183 metrash katrorë të ndërtesës ekzistuese që gjendet në truallin e parkimit.

Teatër mes kullash

Biznesmeni Shkëlqim Fusha posedon një parcelë private me sipërfaqe 298 metër katrorë në zonën rreth Teatrit. Në vitin 2018 ai i propozoi Bashkisë së Tiranës një projekt, i cili parashikonte ndërtimin e një kompleksi kullash 17-21 kate me mbi 90 mijë metër ndërtim, të shtrira mbi 8465 m2 tokë publike-përfshirë Teatrin Kombëtar, ish-selinë e Partisë Demokratike dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Në këmbim të tokës publike, zoti Fusha merrte përsipër të ndërtonte Teatrin e ri me paratë e veta.

Qeveria dhe Bashkia avancuan me propozimin duke miratuar një ligj special, që do të bëntë të mundur realizimin e projektit të Fushës. Por kjo marrëveshje shkaktoi zemërim të fortë tek qytetarët dhe artistët. Paralelisht ligji okult u kundërshtua fuqishëm edhe nga Bashkimi Europian.

Pas këtij presioni të madh Qeveria dhe Bashkia u tërhoqën nga projekti, por jo nga shembja e Teatrit. Në atë kohë qeveria u zotua se Teatri i ri do të ndërtohej me fonde publike dhe në truallin e tij nuk do të kishte kulla. Por me sa duket angazhimi ka qenë vetëm për truallin që i përkiste Teatrit dhe jo zonës kufitare.

Mijëra metra ndërtim

Me miratimin e kontratës nga Këshilli Bashkiak, tashmë tek parkimi publik mes Torre Drin dhe ndërtesës së Infosoft, ngjitur me truallin e teatrit do të ndërtohet një tjetër përbindësh betoni. Dhe ndërtesa e re e Teatrit do të jetë e zhytur mes kullave të ngritura thuajse nga të katër anët e tij.

Nuk dihet me saktësi se sa kate do të jetë kulla e re, por kontrata e Bashkisë zbulon se bëhet fjalë për mijëra metra katrorë në një ndërtim me intensitet të lartë.

“Bashkia e Tiranës përfiton sipërfaqe ndërtimore në ndërtimin e ri me mijra metra katror, sipërfaqe kjo mbi tokë, në bllok dhe nën tokë sipërfaqe ndërtimore parking në bllok, e cila do të regjistrohet në pronësi të bashkisë Tiranë” thuhet në relacionin e kontratës me Bashkisë dhe Fushës.

Veç parkimit publik të bashkisë dhe parcelës private prej 298 metrash që zotërohet nga vet Fusha, burime konfidenciale thonë se gjurma e kullës së re do të prekë edhe disa lokale private që gjenden në atë zone, më pronarët e të cilëve Fusha ka marrëveshje zhvillimi.


Shtuar 19.05.2023 12:44