100 vota pro! Miratohet rezoluta kundër Metës në Kuvend
Ka përfunduar seanca plenare e ditës së sotme duke votuar rezolutën për dekretin e Metës.

Kuvendi i Shqipërisë ka votuar rezolutën kundër Presidentit të Republikës Ilir Meta si një hap drejt vendimit të maxhorancës për shkarkuar kreun e Shtetit.

Ky vendim i artikuluar qartë nga maxhoranca erdhi pas dekretit të Presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Rezoluta për dekretin e Metës është miratuar me 100 vota pro. Ndërkohë 7 deputetë të opozitës së re votuan kundër, 2 abstenuan dhe 1 tjetër nuk votoi.

Për 5 orë rresht u diskutua pikërisht për çështjen e Presidentit, ndërsa në fund u votua rezoluta “Mbi aktin e Presidentit të Republikës për shfuqizimin e dekretit Nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Ndërkohë Kreu i Kuvendit njoftoi se seanca e radhës do të jetë të hënën, 17 qershor ora 10:00..

Në rezolutë tashmë të miratuar nga Parlamenti, maxhoranca e konsideron dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, një akt të paprecedentë që synon të mohojë realizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve shqiptarë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.


“Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërrmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”, thuhet në draft rezolutë.

“Kuvendi i Shqipërisë vlerëson se akti i Presidentit datë 10.06.2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, është një akt absolutisht i pavlefshëm, i nxjerrë në kapërcim të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të institucionit të Presidentit dhe si i tillë ai konsiderohet nul dhe sikur nuk ka ekzistuar asnjëherë.

Kuvendi i Shqipërisë mbështet qëndrimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për vijimin e procesit zgjedhor dhe inkurajon këtë organ të vijojë të mbrojë pacënueshmërinë si dhe të garantojë vazhdimësinë e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të datës 30 Qershor 2019 nisur si rrjedhojë e zbatimit të Dekretit të Presidentit nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke e njohur këtë të fundit si të vetmin akt të ligjshëm të nxjerrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në kuadër të zgjedhjeve vendore 2019”, citohet në rezolutë.

Ndërkohë për të shkarkuar presidentin Meta nevojiten 94 vota ku deri më tani mazhoranxa i ka plotësuar por mungesa e Gjykatës Kushtetuese vë në pikepytje shkarkimin e tij.
Shtuar më 13/06/2019, ora 16:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori