Kushtet e Kurtit diskutohen në Bruksel javën e ardhshme

Shpresa për adresimin nga BE-ja të gjashtë kushteve të kryeministrit Albin Kurti mbetet takimi i 27 Shkurtit në Bruksel. Bashkimi Evropian ftoi Prishtinën e Beogradin për të diskutuar mbi një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, por zyrtarë të partisë në pushtet në Kosovë thanë se në takim do të hapen shumë çështje të tjera.

Një propozim gjashtë pikësh i kryeministrit Kurti deklaruar në Kuvendin e Kosovës, iu dorëzua BE-së, me të cilin kërkohet edhe ndryshimi i emrit të Asociacionit por edhe një lloj reciprocitetit të të drejtave të komuniteteve.

Arbëreshë Kryeziu Hyseni, kryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, i tha RTV21 se takimet është dashur të zhvillohen më shpesh dhe më shumë.

“Javën që vjen do të ketë takim në mes palëve në Bruskel. Tashmë ftesa është përcjellë. Ajo çfarë ne kemi pritur ka qenë që takime të tilla të mbaheshin më shumë dhe më shpesh, ashtui siç ka qenë dakordimi i verës së kaluar. Pra në takiin e javës që vjen do të shtrohen sërish qëndrimet tona me ç’rast do të diskutohet edhe mbi 6-të pikëshin e kryeministrit Kurti”.

Megjithë deklarimet në Prishtinë, ndërmjetësit ndërkombëtarë shprehën zhgënjimin me mos përmbushjen e obligimeve nga të dyja palët dhe në veçanti me mos zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin. I dërguari i posaçëm evropian, Miroslav Lajçak, në një intervistë për mediat serbe, ka thënë se marrëveshjen e ka ratifikuar Kuvendi dhe me këtë është shndërruar në obligim ligjor ndërkombëtar për Kosovën.

“E kuptojmë se kjo është një çështje e ndjeshme për Qeverinë e Kosovës, por marrëveshjet duhet të zbatohen. Qendrimi i BE-së dhe SHBA-së, si dhe i partnerëve të tjerë ndërkombëtarë, është se çdo zvarritje e mëtejmë është e papranueshme. Njëkohësisht fakti se dy palët po e shfrytëzojnë Asociacionin si kusht për çështje tjera – nuk ndihmon”.   

Asociacioni u shndërrua në temën qëndrore madje njëkohësisht me propozimin franko-gjemran për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. SHBA dhe BE insistuan që ai të themelohet përpara se të arrihet marrëveshja, por Qeveria e Kosovës e cilësoi të papranueshëm një Asociacion një etnik. Kryeministri Kurti i tha Deutsche Welles se Serbia me Asociacionin dëshiron ta realizojë synimin e saj për, siç tha, botën serbe.

“Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve, është kërkesë e Serbisë e cila nuk i lejon serbët të integrohen as në Bosnjë Hercegovinë as në Mal të Zi as në Kosovë sepse dëshiron ta realizojë projektin e Serbisë së Madhe që tash e ka ndërruar emrin në bota serbe”.

Megjithëkëtë, Presidenti serb, Vuçiq, në konferencën e Mynihut, tha se Asociacioni është i rëndësishëm për serbët në Kosovë, posaçërisht në jug.

“Njerëzit shpesh nënçmojnë Asociacionin, por si do të mund të organizohen dhe mbrojnë interesat e kombëtare, posaçërisht njerëzit në jug të lumit Ibër, nëse nuk e kanë Asociacionin”.

Bashkimi Evropian tha se është i gatshëm që të lehtësojë diskutimet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në kuadër të dialogut në Bruksel dhe iu bëri me dije të dyja palëve që  propozimet t’i bëjnë në kuadër të këtij procesi./express/


Shtuar 21.02.2023 07:55