Shqiptari plagoset me thikë në Itali teksa po hapte biznesin, në gjendje të rëndë në spital

Një shtetas shqiptar 42-vjeçar, pronar i një lokali në Montecchio Maggiore (Vicenza), është zënë në pritë nga një i panjohur, i cili e ka plagosur rëndë pasi e ka goditur dy herë me thikë.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme.

Mediet italiane bëjnë me dije se 42-vjeçari ka qenë duke hapur biznesin, “Seven Lounge bar”, kur pas tij është shfaqur një burrë, me sa duket me kombësi italiane, i cili e ka sulmuar me thikë.

Shiptari ka marrë një goditje në mushkëri dhe një në lartësinë e kofshës. Më pas sulmuesi u zhduk, duke humbur gjurmët e tij.
Pavarësisht plagëve të rënda, 42-vjeçari ka arritur t’i telefonojë një familjari që jeton jo shumë larg dhe ka dhënë alarmin.

Karabinierët, sipas asaj që mësohet, kanë arritur të identifikojnë autorin.

Imazhet e kamerave të vëzhgimit tani po ekzaminohen për të rindërtuar atë që ndodhi. Nuk dihet ende motivi i pritës. 42-vjeçari ndodhet i shtruar në spitalin e Viçenzës, në gjendje të rëndë, por jo në rrezik për jetën./Albeu.com/


Shtuar 29.04.2023 14:39