Sherr si në filma në Berat, ndjekje me shpejtësi dhe të shtëna me armë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Berat, ku për fat të mirë nuk ka patur viktima. Policia arrestoi sot një 45-vjeçar, i cili dje ndoqi më makinë dhe qëlloi me armë zjarri tre të rinj, të cilët po ashtu po lëviznin me një tjetër automjet.

Ngjarja ka ndodhur për shkak të një konflikti për motive banale mes 45-vjeçarit dhe tre të rinjve, të cilët fill pas saj janë larguar. Por, autori i ngjarjes ka marrë çiften dhe i ka ndjekur duke qëlluar disa herë në lëvizje e sipër.

Për fat të mirë, asnjëri prej personave që gjendeshin në makinë nuk ka pësuar dëmtime.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat arrestuan shtetasin B. Q., 45 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se gjatë natës, teksa drejtonte automjetin e tij, në lagjen “Ish Kombinati”, ka qëlluar me armë gjahu (çifte), si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, në drejtim të automjetit me të cilin lëviznin shtetasit E. T., 29 vjeç, E. D., 25 vjeç dhe G. L., 25 vjeç.

Nga e shtëna nuk ka persona të lënduar. Në vijim të veprimeve janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut (çifte), dy gëzhoja, një shirit me fishek dhe një thikë”, njofton policia.


Shtuar 29.10.2022 14:03