Publikoi videon ku tregonte provat se Moska po kryente krime lufte në Ukrainë, politikani i opozitës ruse dënohet me 8 vite e gjysmë

Politikani i njohur i opozitës ruse Ilya Yashin është dënuar me tetë vjet e gjysmë burg, raporton Skynews.

Më herët, ai u shpall fajtor për përhapjen e “informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse, njoftoi agjencia e lajmeve RIA Novosti.

Yashin u gjykua për një video në YouTube të publikuar në prill, ku diskutonte provat e zbuluara nga gazetarët perëndimorë për krimet ruse të luftës në Bucha, afër Kievit.

Ai hodhi dyshime mbi versionin zyrtar të Moskës se raporte të tilla ishin fabrikuar si një “provokim” kundër Rusisë.

Që nga pushtimi, Rusia ka miratuar legjislacion të ri që parashikon dënime me burg deri në 15 vjet për shpërndarjen e informacionit të rremë rreth ushtrisë.

Në deklaratën e tij përfundimtare në gjykatë këtë javë, Yashin e përshkroi Vladimir Putinin si “personin përgjegjës për këtë masakër” dhe i kërkoi atij “të ndalojë këtë çmenduri”.

Udhëheqësi i opozitës ruse i burgosur Alexei Navalny tha se dënimi ishte “një tjetër vendim i paturpshëm dhe i paligjshëm”.

Në një seri postimesh në Twitter, ai tha: “Kjo është një arsye tjetër pse ne duhet të vazhdojmë të luftojmë dhe nuk kam asnjë dyshim se në fund do të fitojmë.

“Ilya, ne jemi të gjithë krenarë për ty. Rusia do të jetë e lirë dhe ju gjithashtu.”/albeu.com