Rama vijon turin e falenderimeve: Numri i atyre që janë të kënaqur me qeverisjen tonë, minimal

Kryeministri Edi Rama, në turin e falenderimeve në Tiranë, pas zgjedhjeve lokale të 14 majit, u shpreh se numri i atyre që janë shumë të kënaqur nga qeverisja e deritanishme janë të paktë.

Më tej tha se rezultati i 14 majit nuk duhet të shihet si dhënie vote nga qytetarët se janë të kënaqur me qeverinë, por si sfidë, pasi ata kanë pritshmëri nga qeverisja qendrore dhe lokale.

“Edhe këtu në sallë nëse secili pyetet a është i kënaqur me qeverinë e bashkinë, besoj që numri i atyre që thonë janë shumë të kënaqur do jetë minimal.

Unë vetë nuk jam shumë i kënaqur. Edhe unë kur votoj nuk votoj se jam shumë i kënaqur, por sepse duhet të vijohet kjo punë.

Njerëzit kanë votuar edhe pse nuk janë të kënaqur, por besojnë që gjerat që ata presin të bëhen, jemi ne që mund t’i bëjmë dhe nuk janë të tjerët.

Një gjë e veçantë është në këtë rezultat, që është edhe pjesa më e rëndë e rezultatit, që është pritshmëria.

Në mes të mandatit të tretë, të kesh një pritshmëri kaq të madhe, është shumë sfiduese.

Sigurisht është inkurajuese sepse tregon që njerëzit nuk kanë humbur shpresën tek ne, por pritshmëria e madhe mund të kthehet në problem të madh. Presin shumë, por mbase jo për një kohë të gjatë.

E njëjta vlen edhe për bashkitë ku kemi fituar një mandat të dytë apo tretë”, tha Rama.