“Shthuren” bizneset dhe administrata, kontributet e papaguara arrijnë në 170 mln euro, rritje 16% në 2022

Borxhi tatimor në formën e kontributeve të papaguara ndaj sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore po rritet me shpejtësi si në sektorin publik dhe në atë privat, duke sinjalizuar drama për ata që punojnë sot, se do të mbesin pa pension në pleqëri.

Të dhënat zyrtare nga Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve raportojnë se gjatë vitit të kaluar borxhi për kontributet e papaguara arriti në 20.5 miliardë lekë me një rrije 16 për qind në raport me vitin 2021.

Borxhet e bizneseve në këtë zë janë rritur me shpejtësi vitet e fundit, ku stoku u zgjerua me 57 % në krahasim me vitin 2018, ku vlera e tij ishte 13.8 miliardë lekë.

Borxhi ndaj sigurimeve shoqërorë është pjesa ma e keqe e borxhit tatimor për shkak të dramës sociale që mbart. Mijëra punonjës që aktualisht punojnë në shtet apo në privat rrezikojnë të mbeten pa pension në pleqëri. Fenomeni është më i përhapur në entet publike.

Njësitë buxhetore që administrohen nga pushteti lokal, të tilla si, ndërmarrje ujësjellësi, drejtori arsimore, punonjës së pastrim gjelbërimit shpesh nuk iu paguhen sigurimet, pasi fondet për këtë qëllim transferohen në shpenzime të tjera.

Në vend të frenohet, ky borxh po zgjerohet me shpejtësi nga viti në vit, duke vëne në vështirësi jo vetëm arkën e sigurimeve shoqërore, por edhe pensionet ne të ardhmen.

Kontrolli i Lartë i Shtetit pas një inspektimi në skemën publike të pensioneve gjeti se, se 94 për qind të detyrimeve ndaj ISSH zotërohen nga sektori privat dhe kryesisht biznesit i madh me mbi 63 për qind të shumës dhe pjesë tjetër nga biznesi i vogël. Entet publike zotërojnë rreth 6% të totalit të detyrimeve.

Detyrimet e akumuluara, të cilat duhet të shkonin për llogari të arkës së Sigurimeve Shoqërore kanë krijuar efekte negative të shumëfishta.

Në kushtet e mospagesës së sigurimeve buxheti i shtetit duhet të subvencionojë nga taksat e përbashkëta skemën e pensioneve për të kryer pagesat për përfituesit aktualë.

Gjendja e detyrimeve totale të papaguara në afat në datë 31 Dhjetor 2022 ishte 146.8 miliardë lekë, me një rritje neto 11.8 miliardë lekë në krahasim me fillimin e vitit. Nga totali, principali përbën 61 % të detyrimit, penalitetet 34%, kamatëvonesat 5% etj.

Në stokun e detyrimeve të papaguara në afat të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe në stokun e borxhit me 35% në vlerë 52,1 miliardë lekë, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 29% në vlerë 42,7 miliardë lekë, zëri Të Tjera me 16% në vlerë 23,7 miliardë lekë, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 14% në vlerë 20.5 miliardë lekë, Tatimi në Burim me 4% në vlerë 5.3 miliardë lekë, TAP me 1% në vlerë 2,1 miliardë lekë dhe DIVA me 0.3% në vlerë 404 mln lekë./monitor