E ekzekutuan me silenciator, dalin në dritë konfliktet e tjera të biznesmenit
Pëlqej
11 ditë pas vrasjes së biznesmenit 64-vjeçar, Afrim Begalla, i njohur edhe me emrin Memli Begalla, policia ka zbuluar se ai ka pasur konflikte të shumta me persona të ndryshëm.

Dy raste të reja kanë dalë në dritë gjatë hetimeve, të cilat flasin për mashtrime të kryera nga biznesmeni i ekzekutuar me pistolete me silenciator pranë shtëpisë së tij, në zonën e ish –Bllokut, nga këta dy persona që shfaqen në një kamera sigurie, të cilët nuk janë identifikuar ende.

viktima memli begalla

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur për Tv Klan se prej vitit 2013 e në vazhdim Begalla kishte marrë në mirëbesim për qëllime biznesi sipërfaqe pronash në Kashar dhe Mëzes.

Ai kishte premtuar partneritet në biznes për pronaret e tokave, por me pas dyshohet se i ka tjetërsuar ato, ose i ka shitur pa pëlqimin e të zotëve.

Edhe paratë e fituara nga shitja, sipas hetuesve, Memli Begalla nuk i kishte ndarë me pronarët e tokave.

Në këto kushte ata janë konfliktuar me tregtarin, duke kërkuar së paku një pjesë të tyre. Mirëpo edhe pas kësaj situate, borxhi nuk është shlyer dhe kjo ka sjelle konflikte të ashpra me disa prej pronareve. Ata janë pyetur nga policia dhe kanë konfirmuar këtë version, por kanë mohuar çdo lidhje me vrasjen.

Hetuesit po vlerësojnë edhe një pistë që lidhet me mashtrime në Zvicër. Në këtë vend Begalla, ka pasur marrëdhënie me disa tregtarë gomash, të cilëve u ka marrë produkte me premtimin për t’ua kryer pagesat pasi të shiteshin.

Edhe në këtë rast ai nuk i ka kthyer paratë.

Pavarësisht këtyre të dhënave, dy djemtë e Begallës, të ripyetur nga policia, nuk kanë pranuar se i ati kishte pasur probleme me biznesin./ Tv Klan

Shtuar më 25/02/2018, ora 23:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori