E BUJSHME/ SHBA shpallin organizatë terroriste Gardën Revolucionare të Iranit
Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të shpallin Rojat Revolucionare Iraniane një organizatë të huaj terroriste.

Janë tre zyrtarët amerikanë që e kanë konfirmuar këtë për agjencinë e lajmeve Reuters dhe kjo do të shënonte herën e parë që Uashingtoni etiketon zyrtarisht ushtrinë e një vendi tjetër si një grup terrorist. Vendimi, që sipas kritikëve mund ta ekspozojë ushtrinë amerikane dhe zyrtarët e zbulimit ndaj veprimeve të ngjashme nga qeveri jomiqësore, pritet të shpallet nga Departamenti Amerikan i Shtetit ndoshta të hënën në mëngjes.

Sidoqoftë, për këtë në Uashington është folur prej vitesh. Pentagoni për momentin ka refuzuar të bëjë komente. Departamenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë, po ashtu. Edhe misioni iranian në Kombet e Bashkuara nuk i është përgjigjur një kërkese për komente.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, një kritik i hapur i Iranit, ka mbështetur ndryshimin e politikës amerikane në kuadër të administratës Trump, për një qëndrim më të ashpër ndaj Teheranit.

Njoftimi do të vijë në prag të përvjetorit të parë të vendimit të Presidentit Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Teheranin dhe rikthimi i sanksioneve që e kanë gjunjëzuar ekonominë e vendit.

SHBA ka përfshirë në listën e zezë dhjetëra entitete dhe persona për shkak të lidhjeve me Rojat Revolucionare Iraniane, por vetë organizatën, jo.

Të krijuara pas Revolucionit Islamik të 1979, për të mbrojtur sistemin klerik shiit, forcat revolucionare iraniane janë organizata më e fuqishme e sigurisë në vend. Ato kontrollojnë sektorë të gjerë të ekonomisë iraniane dhe kanë shumë ndikim në sistemin politik. Rojat Revolucionare po ashtu janë përgjegjëse për programet balistike dhe bërthamore të Iranit.
Shtuar më 06/04/2019, ora 18:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori