Donald Trump është nën arrest, a mund të garojë ende për president?

Nga John Bowden “The Indepedent”

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Donald Trump tani është paditur me 2 aktakuza të reja, pikërisht në momentin kur po bëhej gati për të nisur garën për një mandat tjetër në Shtëpinë e Bardhë. Ish-presidenti u padit më 8 qershor nga një juri e madhe federale për sa i përket mënyrës së trajtimit të dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga posti i presidentit.

Më pak se një vit më parë, Departamenti i Drejtësisë, gjeti disa dokumente sekrete në shtëpinë e tij në Mar-a-Lago, Florida. Më vonë Departamenti bëri publike një aktakuzë prej 49 faqesh, 37 pikash, duke e akuzuar Trumpin se u kishte treguar informacione shumë të klasifikuara personave të paautorizuar në dy raste, në mesin e shumë shkeljeve të tjera.

Më pak se 2 muaj më parë, ai u bë ish-presidenti i parë që u përball me akuza penale më 30 mars, kur një juri e madhe në Manhattan votoi për ta paditur atë për akuzat penale në lidhje me pagesat për të blerë heshtjen e yllin të filmave pornografikë Stormy Daniels në fillim të fushatës presidenciale të vitit 2016.

Ai u deklarua i pafajshëm në atë rast për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, me qëllim fshehjen e një skemë të supozuar për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e 2016 duke fabrikuar histori negative rreth tij.

Dhe më pak se një muaj më parë, një juri federale në Manhattan zbuloi më 9 maj se Donald Trump kishte abuzuar seksualisht me gazetaren e revistës “Elle”, E Jean Carroll në një dhomë ndërrimi në dyqanin “Bergdorf Goodman” në Manhhatan në vitet 1990.

Zonja Carroll, sot 79 vjeçe, e paditi ish-presidentin për përdhunimin e saj dhe më pas për “shkatërrimin” e reputacionit të saj, kur ai e akuzoi se kishte gënjyer për takimin mes tyre, duke pretenduar se ajo nuk ishte “tipi i tij”.

Si mund të jetë e ardhmja e tij politike, tani që Trump përballet jo me një por me 2 aktakuza të reja? Në parim Kushtetuta e SHBA-së nuk ka kufizime që të parandalojnë cilindo person të paditur apo të dënuar për një krim, apo që edhe po e vuan dënimin në burg, që të kandidojë apo të bëhet president.

Edhe nëse Trump do të gjykohej dhe do të dënohej në një nga të ashtuquajturat “gjyqe të shpejta”, si ato për të cilat e ka përshëndetur vazhdimisht qeverinë e Kinës për veprimet e ashpra në rastet e veprave penale të drogës, ai mund ta drejtojë sërish të gjithë fushatën e tij presidenciale nga qelia e burgut.

Por është shumë më pak e qartë se çfarë do të ndodhë, nëse ai do të fitonte në një skenar të tillë. Ashtu siç nuk ka kufizime në Kushtetutë edhe për një person që kandidon gjatë kohës që është nën akuzë për një vepër penale, nuk ka asnjë shpjegim se çfarë duhet të ndodhë në rast se ai fiton.

Nuk ka asnjë nen që do t’i jepte automatikisht Trump një afat për daljen nga burgu, me përjashtim të gjasave që çdo akuzë e ngritur nga autoritetet federale, nëse ato do të jenë ende duke u trajtuar në një proces gjyqësor në momentin kur ai mund të marrë sërish presidencën për herë të dytë, do të pushonte për shkak të refuzimit të Departamentit të Drejtësisë për të ndjekur penalisht një president në detyrë.

Në rastin e zonjës Carroll, Trump nuk u përball me burgim sepse ishte një gjyq civil. Akuzat në nivel shtetëror, si ato të ngritura nga prokurori Alvin Bragg në Manhattan, janë shumë më të ndërlikuara dhe jashtë fuqisë së mundshme të Trump për të përfituar falje presidenciale, nëse procesi do të përfundonte sërish me një dënim.

Nëse dënimi për akuzat shtetërore do të ndodhte së bashku me një fitore në zgjedhjet e Trump, ka të ngjarë që kjo të çojë në një betejë ligjore të ashpër për të përcaktuar nëse ka ose jo një mënyrë përmes së cilës një ish-president mund të shmangë shlyerjen e dënimit sepse po mban postin më të lartë në vend.

Në rast se Trump nuk do të ishte në gjendje të shmangë atë rezultat, kjo do të çonte thuajse me siguri në shkarkimin e tij (për herë të tretë) apo largimin e tij nga posti që mbante nëpërmjet Amendamentit të 25-të, që e lejon kabinetin të largojë një president që nuk është në gjendje të kryejë detyrat e tij.

Janë shumë detyra dhe kurthe të presidencës, të cilat ai thjesht nuk do të ishte në gjendje t’i përmbushte nga një qeli burgu, dhe shikimi i materialeve të klasifikuara është vetëm një shembull. Çdo dënim i mundshëm i zotit Trump është ende shumë i largët në kohë dhe në mundësi.

Por diskutimi që ai ka nxitur për shkak të garimit të tij për një mandat të dytë si president, pavarësisht se është përballur me dy aktakuza dhe hetime të shumta penale, kanë nxitur konstitucionalistët të jenë shumë më realistë se më parë mbi shanset e ish-presidentit për të rimarrë edhe një herë postin e tij. /albeu.com

 

 


Shtuar 15.06.2023 12:29

Tags: