DW nxjerr prapaskenat: Këto janë vendet që votuan kundër Shqipërisë për hapjen e negociatave
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të kenë ende durim.

Në tetor ministrat përkatës të BE-së mund të vendosin për një datë konkrete për hapjen e bisedimeve të antarësimit me këto dy vende.

Komisioneri i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, në fund të majit u dha një deftesë pozitive të dy vendeve duke shpresuar, që shtetet e BE-së do ta mbështesin propozimin e tij. Tani ai është disi i zhgënjyer, që Franca, Danimarka, Holanda dhe Gjermania ngurruan të japin premtime konkrete.


Ministri i shtetit pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, Michael Roth, e argumentoi qendrimin gjerman me 'po, por…' në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg. Bundestagu gjerman, miratimi i të cilit është i nevojshëm për hapjen e negociatave, ende nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, që të shqyrtojë rekomandimet e komisionit.

Diplomatët e BE-së e konsiderojnë këtë argument si pretekst, sepse prej kohësh ishte e qartë, që vlerësimet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishin pozitive. Madje edhe vetë Michael Roth-it iu desh ta pranojë, që të dyja vendet detyrat e fundit të shtëpisë, që iu ngarkuan prej ministrave vitin e kaluar, tashmë i kanë realizuar: 'Për mendimit tim ato janë të realizuara.'

Maqedonia e Veriut madje ka 'shkruar histori', duke i dhënë fund grindjes me vendin fqinjë Greqinë, anëtare në BE, me ndryshimin e emrit të shtetit. 'Këtë duhet ta vlerësojmë. BE-ja nuk duhet të humbasë kredibilitetin', nënvizoi ministri i shtetit Roth. Ndaj mbetet objektivi për t’i nisur sa më parë bisedimet e anëtarësimit.

Maqedonia e Veriut tani, Shqipëria më vonë?

Shqipëria, sipas vlerësimit të Komisionit e ka forcuar dukshëm luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Megjithatë ky vend aktualisht ndodhet në një krizë kushtetuese, sepse Gjykata Kushtetuese është e paralizuar dhe ka probleme me zgjedhjet lokale. Presidenti i Shqipërisë i shtyu zgjedhjet lokale. Kryeministri ia mohon këtë të drejtë presidentit. Shumë njerëz prej muajsh demonstrojnë kundër qeverisë. Numri i shqiptarëve, që kërkojnë azil në BE është në rritje. 'Ky nuk është një rekomandim pozitiv', mendojnë nëpunësit e BE-së në Luksemburg.

Por nuk është vetëm kjo arsyeja përse parlamenti holandez i sheh me sy kritik negociatat me Shqipërinë. Deputetët holandezë kanë paraqitur një kërkesë që Shqipëria të mbetet në pritje, ndërkohë që t’i jepet një datë konkrete Maqedonisë së Veriut për negociatat.

Një shkëputje të dy vendeve në raundin e ardhshëm e refuzon Italia, që si vendi i drejtpërdrejt fqinjë me Shqipërinë në Adriatik e mbështet fort anëtarësimin e sj. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) javën e kaluar u shpreh për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me të dyja këto vende kandidate, por ai u frenua prej partnerit të koalicionit në Berlin duke iu referuar nevojës së miratimit në Bundestag.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut synon sa më shpejt hapjen e bisedimeve

Presidenti i ri i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, javën e kaluar qendroi për herë të parë në Bruksel, për të lobuar për vendin e tij në institucionet europiane. “Ne kemi marrë vendime të guximshme në shumë fusha për qytetarët tanë”, tha Pendarovski duke iu referuar ndryshimit të emrit të shtetit, që u arrit duke hasur në rezistencë të fortë në vend.

Po ashtu ai nënvizoi se ka në dorë një “rekomandim pa kushte” nga Komisioni i BE. Presidenti i Këshillit të BE-së Donald Tusk u përpoq ta zbusë zhgënjimin e dukshëm, duke i siguruar presidentit, se “nuk bëhet fjalë për nëse, por vetëm se kur” do të nisin bisedimet për antarësimin.

Më 2013 Kroacia u pranua si vendi më i ri anëtar. Më 2007 u pranuan Rumania e Bullgaria. Në vitin 2004 u realizua i ashtuquajturi raundi “Big-Bang”. Asokohe u pranuan në BE njëkohësisht dhjetë shtete, kryesisht nga Europa Lindore.

'Pikërisht prej këtyre raundeve duam të mësojmë', tha një nëpunës i BE-së, i cili nuk do të përmendet me emër. 'Polonia, Hungaria dhe Rumania sot po krijojnë probleme, sepse në to po çalon shteti ligjor dhe të tjera aspekte. Ndaj tani nuk duan të nxitojnë dhe duan të sigurohen, që të mos importohen probleme të reja në BE.'

Komisari i BE-së do një sinjal për rajonin

Komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn e sheh nga ana tjetër BE-në të detyruar, që të mos i shtyjë më premtimet që i ka dhënë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

'Unë vetëm mund të përsëris, atë që e them prej kohësh', u shpreh Hahn në kuadër të takimit në Luksemburg. 'Bisedimet e antarësimit duhet të nisin sa më parë. Nuk bëhet fjalë vetëm për Maqedoninë e Veriut, por edhe për shtetet e tjera në rajon. Ky do të ishte një sinjal i fortë, p.sh. edhe ndaj Serbisë e Kosovës. Këto dy vende do të kishin një impuls më të fortë për t’i zgjidhur konfliktet e tyre.'

Ministrja shqiptare e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i tha DW-së lidhur me vendimet e BE-së, se: 'Ne e dimë, që ende nuk kemi arritur deri në nivelin të antarësohemi tani në BE. Por ne jemi të gatshëm, ta nisim procesin e negociatave për anëtarësim. Në këtë mënyrë ne mund të na vrojtojnë mirë dhe të na verifikojnë, se çfarë suksesesh bën Shqipëria faktikisht.'

Bisedimet për anëtarësimin në BE mund të zgjasin me vite. Një pranim i anëtarëve të rinj mund të realizohej në fund të dhjetë vjeçarit të ardhshëm. Anëtarësimi i Kroacisë është negociuar për një periudhë gjashtë vjeçare. /DW
Shtuar më 19/06/2019, ora 09:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori