Administratori i plazhit u përpoq t’i shpëtonte por nuk ia doli, detaje nga tragjedia ku vdiqën babai dhe dy djemtë

Pushimet e familjes Halilaj u kthyen në tragjedi, pasi Elvis Halilaj së bashku me dy djemtë e tij të mitur u mbytën ditën e djeshme në plazhin e Vilë-Bashtovës.

Sipas dëshmitarëve ambulance u vonua dhe roja bregdetare mungonte.

Sakaq ditën e sotme, policia ka arrestuar 34-vjeçarin Pëllumb Nika, administratorin e  pjesës së plazhit të Vilë-Bashtovës, në Gosë, Rrogozhinë.

Arrestimi i tij u bë pasi sipas njoftimit të policisë, nuk  kishte marrë masa për sigurimin e jetës së plazhistëve, nuk garantonte shërbimin me vrojtues plazhi gjatë gjithë kohës, nuk kishte pajisur me sinjalizim dhe me kufizim me bova të hapësirës ujore, pjesën e plazhit që kishte marrë me qira nga bashkia Rrogozhinë.

Por, burime brenda grupit hetimor bëjnë me dije se Nika mori riskun përsipër dhe hyri në det të hapur për të shpëtuar jetën e tre pushueve edhe pse nuk ia doli. Sipas po të njëjtave burime, ai arriti që t’i nxjerrë të tre personat njëherësh me një mjet minimal lundrues.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme, ku Elvis Halilaj hyri në det për të shpëtuar njërin nga djemtë e tij të mitur, por fatkeqësisht humbi jetën. Bashkë me të u mbytën edhe dy djemtë, 17 dhe 13 vjeç.


Shtuar 10.07.2023 10:13