Dorëzohet Trump, pranon humbjen e zgjedhjeve
Presidenti ende në detyrë i SHBA-ve Donald Trump ka pranuar të nisë tranzicioni në SHBA, në mënyrë që Joe Biden të marrë detyrën e re. Trump tha se agjencia federale që mbikëqyr dorëzimin duhet të “bëjë atë që duhet të bëhet”, edhe pse ai u zotua të vazhdonte të kundërshtonte humbjen e tij në zgjedhje.

Administrata e Shërbimeve të Përgjithshme (GSA) tha se po e pranonte Z. Biden si “fituesin e dukshëm”. Ky zhvillim erdhi pas fitores së Biden në shtetin e Miçiganit, e cila u certifikua zyrtarisht, një goditje e madhe për Trump, duke qenë se ky ka qenë një bastion i republikanëve.

Pentagoni tha se do të siguronte “mbështetje për ekipin e Biden … në një mënyrë profesionale, të rregullt dhe efikase që i përshtatet pritshmërive të publikut për Departamentin dhe angazhimit tonë për sigurinë kombëtare”.

Biden pritet të marrë detyrën më 20 janar pasi kishte fituar zgjedhjet me vota elektorale të mjaftueshme për të siguruar fitoren e Kolegjit Zgjedhor. Demokrati kryeson në votën popullore me më shumë se 6 milionë vota. Republikanët e tjerë janë distancuar gradualisht nga presidenti Trump ditët e fundit dhe kishin nxitur fillimin e procesit të tranzicionit.

Të hënën më herët, senatori nga Tenesi, Lamar Alexander që është në përfundim të mandatit dhe ka bërë vazhdimisht thirrje për fillimin e tranzicionit, lëshoi një deklaratë të re duke thënë që zoti Trump duhej “të vinte vendin në para së gjithash” dhe të ndihmonte administratën e zotit Biden të ketë sukses.

“Kur ke një jetë publike, njerëzit mbajnë mend veprimin e fundit që ndërmerr”, tha ai.

Senatori Republikan Rob Portman nga Ohajo i bëri thirrje të hënën Administratorse së Shërbimeve të Përgjithshme që të vinte në dispozicion paratë dhe personelin e nevojshëm për tranzicionin. Senatori Portman, një nga anëtarët kryesorë të Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe atij për Çështjet Qeveritare në Senat, tha gjithashtu se zoti Biden duhet të marrë informacione të nivelit të lartë mbi sigurinë kombëtare dhe planin e shpërndarjes së vaksinës për koronavirusin.

Senatorët Alexander dhe Portman, të cilët të dy kanë mbështetur zotin Trump, iu bashkuan një numri në rritje të zyrtarëve republikanë të cilët ditët e fundit i kishin kërkuar PresidentitTrump që të fillonte tranzicionin menjëherë.

Senatorja republikane Shelley Moore Capito e Virxhinias Perëndimore gjithashtu bëri thirrje për një tranzicion të qetë, duke thënë në një deklaratë të hënën se “në një moment të caktuar, zgjedhjet e vitit 2020 duhet të përfundojnë.”

Ndërkohë më shumë se 100 ish-zyrtarë republikanë të sigurisë kombëtare – përfshirë ish-Drejtorin e Sigurisë Kombëtare Tom Ridge, ish-Drejtorin e CIA-s Michael Hayden dhe ish-Drejtorin e Zbulimit Kombëtar John Negroponte – thanë në një deklaratë se refuzimi i zotir Trump për të pranuar dhe lejuar një tranzicion të rregullt”, përbën një kërcënim serioz” për procesin demokratik të Amerikës. Zyrtarët që nënshkruan letrën kanë shërbyer për katër presidentë republikanë, përfshirë zotin Trump.

Deklarata u bëri thirrje “Udhëheqësve Republikanë – veçanërisht atyre në Kongres – të kërkojnë publikisht që Presidenti Trump të pushojë sulmin e tij anti-demokratik ndaj integritetit të zgjedhjeve presidenciale.”
Shtuar më 24/11/2020, ora 08:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori