Doktori më i paguar në SHBA, Fauci e ka rrogën më të lartë edhe se presidenti amerikan
Dr. Anthony Fauci është paguar 417 608 dollarë në vitin 2019, raporton revista “Forbes”, sipas të dhënave më të fundit të bëra publike nga autoritetet amerikane. Kjo e bën atë jo vetëm doktorin më të paguar brenda administratës federale, por edhe nëpunësin më të paguar.

Dr. Fauci ka fituar edhe më shumë sesa presidenti i Shteteve të Bashkuara, rroga e të cilit është 400 mijë dollarë në vit. Të gjitha të dhënat, saktëson “Forbes”, janë marrë nga OpenTheBooks.com përmes kërkesës bazuar mbi Aktin e Lirisë së Informacionit.

Në studim janë përfshirë vetëm rrogat e nëpunësve federalë, të cilët paguhen me paratë e taksapaguesve. Rroga e dr. Fauci-t është rritur përgjatë viteve. Ai ka fituar 3,6 milionë dollarë në periudhën 2010-2019, ndërsa që prej vitit 2014 rroga e tij është rritur nga 335 000 dollarë në vit, në 417 608.

Më 13 gusht të vitit të kaluar, në një intervistë të transmetuar drejtpërdrejt në Instagram, me aktorin Matthew McConaughey, dr. Fauci u pyet nëse kishte investuar miliona dollarë te vaksinat kundër koronavirusit, ai u përgjigj: “Matthew, jo, asnjë dollar! Jam vetëm një nëpunës qeverie, kam një rrogë prej nëpunësi qeverie”.

Dr. Fauci u bë protagonist gjatë krizës së koronavirusit, duke dalë çdo ditë në intervista për të shpjeguar para popullit amerikan mbi Covid-19. Ai ishte pjesë e skuadrës së presidentit Trump për përballimin e pandemisë. Por kreu i saj, zëvendëspresidenti Mike Pence, është paguar vetëm 235 100 dollarë në vit.

Për krahasim, shkruan “Forbes”, Nancy Pelosi do të fitojë këtë vit 223 500 dollarë, ndërsa gjykatësi i Gjykatës Supreme, John Roberts, 270 700. Anëtarët e Kongresit dhe Senatit do të paguhen 174 000 dollarë në vit, ndërsa gjeneralët me 4 yje, 268 000 dollarë në vit./a2cnn
Shtuar më 26/01/2021, ora 11:23

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori