"Do të zhdukim varfërinë ekstreme", Basha prezanton planin ekonomik të PD
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka prezantuar sot planin ekonomik të Partisë Demokratike.

Ndërsa foli për objektivat e këtij plani ekonomik, Basha tha se synohet dyfishimi i të ardhurave për frymë.

Po ashtu ai shtoi se do të dyfishohet edhe ndihma ekonomike për të gjitha shtresat në nevojë.

Basha theksoi se mes të tjerash, plani ekonomik i PD, synon edhe zhdukjen e varfërisë ekstreme.

“Kemi punuar prej muajsh me ekspertët më të mirë, me ndihmën dhe të institucioneve ndërkombëtare, kemi punuar për t’i sjellë Shqipërisë një plan serioz zhvillimi që të gjallërojë ekonominë tonë. Duam të sjellim një program pune, një program qeverisje, të zbatueshëm që do i shërbejë shqiptarëve.

Planet nuk janë premtime, por angazhime të padiskutueshme që do të përmbushen. Një kryeministër që nuk përmbush angazhimet duhet të largohet direkt. Nuk kam ndërmend të fitoj besimin tuja me gënjeshtra, koha e matrapazëve ka mbaruar. Objektivat e planit tonë janë dyfishimi i të ardhurave për frymë, objektivi ynë kryesor që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari. Angazhohemi ta zhdukim varfërinë ekstreme, nuk do të ketë më familje që vuajnë për bukën e gojës, ujë e drita.

Nuk do të kemi më ministra që shumëfishojnë pasuritë, pro do punojnë për zhdukjen e varfërisë ekstreme dhe hapi i parë do të jetë dyfishimi i ndihmës ekonomike për të gjitha familjet në nevojë. Varfëria do të ulet brenda mandatit tonë të parë me 50%. Shtresa e mesme është motori i zhvillimit, një shtresë e mesme e fortë është garante e stabilitetit ekonomik dhe politik. Rritja e mirëqenies së familjeve shqiptare nuk është slogan.

Programi ynë do të bëjë që përfitimi të ndihet nga çdo shqiptar. Familja është në qendër të politikave tona, familja shqiptare. Shqipëria do fitojë me familje më të arsimuara, me të ardhura të sigurta, që paguajnë taksa të ulëta. Rinia shqiptare është fokusi i këtij programi. Çdo masë kanë për qëllim kryesorë promovimin e të talentuarve. Largimi i të rinjve është katastrofë kombëtare. Kjo qeveri nxiti emigrimin më masiv në këto dekada”, tha Basha.
Shtuar më 28/01/2021, ora 12:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori