Djegia e makinave të drejtorit në Vlorë , çfarë fiksuan kamerat e sigurisë
Pesë automjete janë përfshirë nga flakët në afërsi të zonës së “Ujit të Ftohtë”, ngjarje e ndodhur rreth orës 01:30 të së martës. Automjetet ishin parkuar në një shesh pushimi, pranë një pallati shumëkatësh, ndërsa dyshohet se ngjarja është e qëllimshme.

Sipas Policisë, mësohet se automjetet janë spërkatur me lëndë djegëse (benzinë) dhe dyshohet se autorët kanë qenë dy persona të maskuar. Në vendngjarje janë gjendur edhe dy bidonë me benzinë, që dyshohet të jenë përdorur për zjarrvënien.

Sipas dyshimeve të Policisë, automjetet në të cilat është hedhur lëndë djegëse janë në pronësi të Genti Sherifit. Ky i fundit mban detyrën e drejtorit të Shërbimeve në Bashkinë Vlorë. Nga flakët janë përfshirë automjeti tip “Benz” me targa AA 939 LU dhe një “Golf” me targa AA 728 KP, të cilët janë në pronësi të Sherifajt, ndërsa zjarri ka përfshirë dhe tri automjete të tjera që ishin parkuar afër tyre.

Një “Mercedez ML”, një “Fiat” dhe një “BMW”. Nga flakët është shkrumbuar thuajse plotësisht mjeti tip “Benz”, në pronësi të Sherifajt, ndërsa mjetet e tjera kanë pësuar dëme të konsiderueshme. Mësohet se gjithçka është parë nga banorë të zonës, të cilët edhe kanë lajmëruar Policinë dhe zjarrfikëset.

Policia e Vlorës bën të ditur se në vendin ku ishin parkuar makinat mungojnë kamerat e sigurisë dhe për këtë arsye janë parë pamjet nga kamerat përreth vendit për të identifikuar autorët, pasi pallati ndodhet shumë pranë “Lungomares” dhe konsullatës italiane. Në bazë të këtyre pamjeve del se autorët e zjarrvënies kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët më pas janë ndihmuar nga një i tretë që i priste në automjet, shkruan Panorama.

Referuar hetimeve, nuk ka ende ndonjë pistë se cili mund të jetë shkaku i ngjarjes, ndërsa zyrtari i Bashkisë Vlorë njihet si person pa probleme. Genti Sherifi punon prej disa vitesh në Bashkinë e Vlorës. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje ai ka deklaruar se nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë. Policia dyshon se ngjarja mund të ketë lidhje me detyrën e Sherifit.

Grupi hetimor është duke mbledhur të dhëna për të gjetur ndonjë shkak, që mund të çojë edhe në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Djegia e automjeteve është kthyer në një fenomen shqetësues në qytetin e Vlorës, pasi gjatë viteve të fundit janë djegur me dhjetëra makina. Shumica e këtyre ngjarjeve janë ende pa autorë, ndërkohë që shkaku është shpesh hakmarrja për ndonjë konflikt.
Shtuar më 27/02/2019, ora 09:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori