Djali i peshkatares së mbytur kujton momentin tragjik: E mbajta gjysmë ore gjallë, ja kush është fajtor
Stuhia e 5 gushtit do të ishte fatale për familjen e peshkatarëve Rama. Avdul Rama së bashku me nënën dhe babanë e tij kishin dalë në det, në Gjirin e Gjipesë për të mbledhur rrjetat e peshkimit, por i ka zënë stuhia.

Si pasojë është përmbytur peshkarexha . Avduli tregon orët e tmerrit në det të hapur ku të gjithë ishin të gjallë për orë të tëra me shpresën se dikush do i shpëtonte.

Nëna e tij Mirela Rama nuk mundi të rezistonte dhe u mbyt, sipas Avdulit tragjedia mund të ishte shmangur nëse policia kufitare dhe ajo portuale do i kishin paralajmëruar para se të niseshin dhe do kishin reaguar në momentin e duhur për t'i shpëtuar.

“Kur ka ndodhur stuhia na ka telefonuar menjëherë vëllai, i cili fatmirësisht nuk ishte me ne. Nuk i jemi përgjigjur dhe ka marrë në telefon menjëherë policinë kufitare dhe nuk i është përgjigjur në kohë ndihmës së tij”, tha Avduli për emisionin “Shqipëria Live”.

Ky i fundit shprehet se kanë qëndruar një orë në det, të katërt të gjallë (edhe një shok i tyre).

“Kemi qenë në një distancë të afërt me bregun. Në pak sekonda anija u mbyt, unë e mbajta nënën e gjallë për një orë. Nëna kishte marrë goditje ne nofull dhe e kishte të nxirë. Gjatë kohës që po notoja që të dilnim në bregdet i thosha se do dilnim të gjallë”, tha ai.

Avduli tregoi se në momentin që goditi stuhia, a një mjegull që nuk i linte që të shikonin as njëri-tjetrin.

“Unë me nënën jemi ndarë nga te tjerët. Goditi stuhia dhe pastaj ra një mjegull që nuk e shikonim njëri-tjetrin. Më kanë gjetur ca pushues pasi dola në bregdet, kishte shanse që edhe unë të vdisja. Kam ndenjur më shumë se një orë në Gjipe, ishin ca çuna nga Korça. Unë veç arrija t’i shikoja e t’i dëgjoja, por nuk flisja dot. Shoku jonë doli i pari në tokë dhe kërkoi ndihmë, babanë e ka ndihmuar një gomone që ishte aty. Mjetet private kanë nisur shpëtim-kërkimin, autoritetet kanë ardhur të fundit. Policia kufitare ka ardhur katër orë me vonesë”, tha ai.

Sipas tij, të gjitha mjetet private kanë dalë në kërkim, ndërsa mjeti i certifikuar për të përballuar këtë situatë të fortë, nuk erdhi.

“Nënën time e vrau neglizhenca e policisë kufitare dhe portuale. Deri tani nuk na ka marrë në pyetje asnjë, se si ndodhi. Unë kam marrë trajtime psikologe 20 ditë, shteti nuk mori asnjë masë dhe u mundua që ta mbulonte këtë ngjarje.

Prokuroria nuk ka asnjë rezultat për këtë ngjarje edhe pse kanë kaluar 4 muaj. Nëse policia kufitare do të ndërhynte në kohë, një njeri nuk do kishte humbur jetën. Është 100 për qind policia kufitare fajtore për vdekjen e nënës sime. Kjo ngjarje fare mirë do të ishte shmangur”, tha Rama.

Ky i fundit kërkoi që të ketë sa më shpejt drejtësi dhe të zbardhen të gjithë ata që janë përgjegjës për vdekjen e nënës së tij.

“Këtu çdo gjë është e kotë. Nga 5 gushti deri tani ne ja kemi lënë drejtësisë, dhe drejtësia nuk ka bërë punë”, tha Avduli.



Shtuar më 15/12/2020, ora 14:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori