Piero Fassino: Përshpejtimi i integrimit të Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainës, çelësi për stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë në Evropë

Nga Francesco De Palo “Formiche

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Integrimi politik, social, ekonomik është në vetvete paradhoma e një sigurie dhe stabiliteti më të madh të brendshëm për ato vende, të cilat  nga Mesdheu në Ballkan, po kalojnë nëpër

një fazë komplekse. Këtu përfshihet jo vetëm Tunizia dhe Libia, por edhe Kosova e Serbia. Analiza e Piero Fassino, ish-kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës dhe Ministër i Drejtësisë i Italisë, nis nga supozimi se zona e Mesdheut është shndërruar në qendër të skakierës gjeopolitike botërore, si emergjencat e lidhura me të siç është emigrimi në Tunizi.

A tregon vizita në Tuniz e Giorgia Meloni, Ursula Von der Leyen dhe Mark Rutte një ndjeshmëri më të madhe të Evropës mbi këtë temë?

Kjo vizitë tregon dy fakte: nga njëra anë, ndjeshmërinë më të madhe të Bashkimit Evropian ndaj situatës në Tunizi, e cila është sot një nga më serioze në Mesdhe, por edhe një ndryshim në qasjen e kreut të Këshillit ndaj Evropës, që pasi u demonizua prej kohësh dhe u konsiderua e sikletshme, po i bëhet sot thirrje për të zbatuar një politikë të përbashkët mbi emigracionin.

Jo vetëm Tunizia, një front tjetër delikat përfaqësohet nga Libia. A besoni në përpjekjen e re për të nxitur mbajtjen e zgjedhjeve të reja?

Mendoj se është e nevojshme të binden partitë libiane që të shkojnë në zgjedhje, të cilat në fakt ishin planifikuar të mbaheshin që në fund të vitit të kaluar dhe më pas ishin pezulluar dhe shtyrë për shkak të ndarjeve dhe vetos reciproke të forcave politike libiane.

Hapi i parë thelbësor, është të arrihet një marrëveshje midis libianëve për mbajtjen e zgjedhjeve transparente, në mënyrë që rezultatet e votimit të njihen nga të gjithë dhe të mos kontestohen. Nëse do të arrihej ky rezultat, Bashkimi Evropian dhe të gjitha shtetet e prekura më drejtpërdrejt nga kjo çështje, si Italia, do të duhej të ofronin të gjithë mbështetjen operacionale për të garantuar zgjedhje të lira, transparente dhe demokratike.

E prisnit deklaratën e kancelarit gjerman Scholz, se vendet e para të pritjes së emigrantëve, si Italia, nuk duhet të lihen të përballen vetëm me këtë krizë?

Kjo nuk është hera e parë që Scholz mban këtë qëndrim. Prej disa vitesh në Berlin ekziston bindja se çështja e emigracionit nuk mund të shkarkohet mbi supet e një vendi të vetëm, dhe mbi të gjitha mbi vendet e vijës së parë. Emigracioni është një çështje evropiane, e cila duhet ndarë dhe menaxhuar bashkërisht.

Në këtë kontekst, a do të mbështesë stabilizimin institucional të Libisë rikonfirmimi i Erdogan në krye të Turqisë, apo Italia do të ketë një konkurrente më shumë?

Këtë mbetet që ta shohim. Erdogan ka zhvilluar një politikë në të gjithë Mesdheun me një ambicie hegjemoniste. Sa i përket Libisë, Turqia dhe Italia kanë të dyja interesin për të vepruar për garantimin e stabilitetit atje, dhe për të kapërcyer përplasjen aktuale midis 2 qeverive kundërshtare libiane. Prandaj çdo gjë që mund të bëhet për të arritur një rezultat të tillë do të duhet të mbështetet si nga Roma po ashtu edhe Ankaraja.

Pellgu i Mesdheut ka fituar sërish një rol qendror në skakierën gjeopolitike botërore, jo vetëm për luftën, por edhe për dinamikën e politikave energjitike. Por ka një pjesë të vogël të Evropës që po vuan jashtëzakonisht shumë në këtë moment, dhe kjo është pjesa ballkanike, me tensionet e reja që po ndodhin mes Serbisë dhe Kosovës. Si të ndërhyhet?

Ne në Ballkan po paguajmë koston e ngadalësimit rrëqethës të procesit të integrimit në union. Evropa u premtoi vendeve ballkanike integrimin e shpejtë pas traktatit të paqes të Dejtonit të vitit 1995. Më pas e zyrtarizoi atë vullnet në samitin BE-Ballkan në Selanik në vitin 2003.

Që atëherë kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe nuk kemi ende integrimin e plotë të atyre vendeve.

Deri më tani kjo ngadalësi rrëqethëse ka prodhuar vetëm rezultate negative, dhe ka zbehur besimin tek Evropa tek opinioni publik dhe qeveritë e atyre vendeve. Dhe kjo qasje ka hapur derën për praninë e lojtarëve të tjerë si Kina, Rusia, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Po ashtu u ka ofruar vendeve kandidate një alibi për të ngadalësuar reformat e tyre.

Dhe me çfarë pasojash?

Rishfaqja e nostalgjive të vjetra, ecja drejt homogjenitetit etnik dhe supozimi i themelimit të shteteve mbi të, duke ringjallur konfliktet e lashta por edhe të kohëve të fundit. Këtë e dëshmon edhe ajo që ka ndodhur në Kosovë. Por duhet bërë një konsideratë më e përgjithshme: ne e vlerësojmë me të drejtë faktin se që nga viti 1945 e deri më sot Bashkimi Evropian nuk ka njohur luftëra.

Por ka pasur luftëra në kufijtë e tij:në Ballkan, në Kaukaz dhe sot në Ukrainë. Pra, leksioni është shumë i qartë: në rast se duam që t’i shpëtojmë këto zona nga një gjendje destabiliteti dhe konflikti – të cilat ndikojnë në sigurinë e të gjithë Evropës – duhet të përshpejtojmë integrimin e tyre duke i sjellë ato vende në zonën e sigurisë dhe stabilitetit që është Bashkimi Evropian.

A ka rrezik që vende si Shqipëria, të cilat i janë nënshtruar disa reformave, por që janë  ende të pa integruara të union, mund të vuajnë duke parë përshpejtimin e procesit për të tjerët?

Mendoj se për këtë duhet të jemi shumë të qartë. Përshpejtimi i integrimit të Ukrainës, është një domosdoshmëri për stabilitetin dhe sigurinë e atij vendi dhe të Evropës. Por ai s’mund të ndodhë në kurriz të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Duhet të ketë një përshpejtim në proceset e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit dhe gjithashtu edhe një përshpejtim të integrimit të Ukrainës.

A është i sigurt anëtarësimi i Suedisë në NATO apo do ta pengojë Ankaraja?

Aktualisht po zhvillohen bisedime midis Ankarasë dhe qeverisë suedeze, teksa ka edhe një aktivitet të shtuar të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për të sheshuar të gjitha mosmarrëveshjet mbi këtë çështje. Shpresohet që integrimi i Finlandës dhe Suedisë të arrihet sa më shpejt. Ai është një hap thelbësor për kohezionin evropian dhe për t’i dhënë më shumë qëndrueshmëri politikës së përbashkët të sigurisë.

 


Shtuar 12.06.2023 14:12

Tags: