Dikush po lan hesapet me bandën e "Il Padrinos", detaje nga atentati i fundit në Vlorë
Mikel Mehmeti, i plagosuri në atentatin e ndodhur mbrëmjen e së hënës në qytetin e Vlorës, rezulton person i afërt me të fortin e qytetit bregdetar, Edison Harizaj, i ekzekutuar në nëntor 2018.

41-vjeçari mori dy plumba nga breshëria e armës që u qëllua në drejtim të tij, ndërsa ishte duke lëvizur me një makinë “Audi A3”.

Mehmeti rezulton një emër i skeduar nga Policia e Vlorës, pasi vitet e fundit ai është arrestuar për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, 41-vjeçari njihet si person me lidhje me “Il Padrinon”, siç quhej ndryshe Harizaj.

Burime pranë Policisë bëjnë të ditur se i plagosuri është bashkëpunëtor i vëllezërve Llanaj në qytetin e Vlorës. Aleksandër Llanaj ndodhet aktualisht në burg si një nga autorët e vrasjes së trefishtë, e njohur ndryshe si “Masakra e Çolës”, e ndodhur në prill 2015. Ndërsa Ferdinant Llanaj është plagosur në një atentat, më 1 tetor 2017, në afërsi të rrugës “Transballkanike”, pranë banesës së tij, shkruan Panorama.

Nuk ka ende informacion zyrtar nga Policia e Vlorës rreth faktit nëse Mehmeti rezulton me precedent tjetër, përveç armëmbajtjes pa leje. Informacionet e Policisë për pistat ku po hetohet mbeten ende shumë të rezervuara, ndërsa ka dyshime të forta se autorët kanë qenë vrasës me pagesë.

Gjithsesi, mësohet se një nga pistat është ajo e njohjes që 41-vjeçari ka me Llanajt, pistë në të cilën po hetohet, por nuk përjashtohet as ndonjë pistë tjetër që të lidhet me ndonjë ngjarje tjetër. Grupi hetimor ka klasifikuar në pistat e hetimit edhe mundësinë që atentati të ketë ardhur për shkak të njohjes së tij me Edison Harizajn.

Deri tani, Policia ka shoqëruar disa persona lidhur me ngjarjen, por ende nuk ka asnjë të dyshuar konkret. Mësohet se janë shoqëruar dëshmitarë në vendin e ngjarjes, por edhe persona të tjerë, nga të cilët Policia mund të sigurojë informacione rreth autorëve që kryen atentatin ndaj 41- vjeçarit. Në vendin e ngjarjes, Policia gjeti shtatë gëzhoja, duke konfirmuar se ndaj tij është qëlluar me breshëri.

Ndërsa vetëm pak pas ngjarjes, në një zonë periferike, në afërsi të stacionit të trenit, Policia gjeti edhe automjetin e djegur, tip “Mitsubishi”, të cilin autorët e dogjën pas ngjarjes për të humbur gjurmët. Automjeti i djegur, sipas burimeve, konfirmohet se ishte me targa false. Një ditë më vonë, në vendin e ngjarjes dhe pikërisht në rrugën “Gjergj Araniti”, ku edhe ndodhi atentati, ka ende shenja që tregojnë atë çfarë ndodhi.

Copa që kanë mbetur ende në vendin e ngjarjes nga xhamat e automjetit, aty ku atentatorët i dolën në krah të automjetit tip “Audi” për të qëlluar me breshëri në drejtim të 41-vjeçarit.
Shtuar më 16/01/2019, ora 17:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori