Dialogu nuk e zgjidh krizën
Tensionet në veri të Kosovës do të mbeten edhe pas raundit të ardhshëm të dialogut që do të zhvillohet më 5 shtator në Bruksel, në rast se palët vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tanishme, shkruan sot gazeta Koha Ditore.

Sipas gazetës, për vulat doganore mund të gjendet zgjidhje në këtë raund, por jo edhe për qëndrimin e oficerëve doganorë në portat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Qeveria e Serbisë nuk do kosovarë në këto pika doganore.

“Besoj se do t’ia dalim të zgjidhim problemin e vulave doganore, edhe pse kjo është çështje krejtësisht e ndarë nga vendkalimet (në Jarinjë dhe në Bërnjak v.j.)”, ka thënë për gazetën “Blic” shefi i delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Borislav Stefanoviq. “Nuk mund të lejojmë që Prishtina të vendosë institucione në veri, e as që shteti i Serbisë të dëbohet nga Kosova”.

E në Kosovë kanë konfirmuar se për doganierët fare nuk do të flitet përgjatë procesit të dialogimit me Serbinë. Këtë nuk e ka thënë Edita Tahiri, që drejton delegacionin kosovar. Një këshilltar i saj ka thënë se nuk do të deklarohet tash për tash për procesin.

Mirëpo zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i është kundërvënë Stefanoviqit. Ka thënë se me Beogradin zyrtar nuk do të dialogohet për punët e brendshme të Kosovës, në kuadër të të cilave ka futur edhe çështjen e dërgimit të oficerëve doganorë në pikat doganore të kufirit me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

“Ne nuk dialogojmë për rendin tonë juridiko-kushtetues, nuk dialogojmë për territorin e vendit, nuk dialogojmë për statusin. Kjo është e qartë. Ajo që është me rëndësi, është se çështja e dialogut dhe çështja e organizimit të brendshëm, rendit dhe ligjit, janë dy botë të ndara”, ka thënë Kuçi. “Të mos tentojë dikush që është cenues i rendit dhe ligjit, që është cenues i sovranitetit të Kosovës, ta mjegullojë ambientin me dialog”.

Shtuar më 14/08/2011, ora 13:03

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori