Dialogu në Bruksel, Borrell: Përballje me të gjitha çështjet e hapura
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell tashmë është duke zhvilluar takime me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Takimet bilaterale do të pasohen me një takim të përbashkët.

Borrell, në një deklaratë që është shpërndarë nga zyra e tij, ka paralajmëruar se sot në dialog do të hapen dy çështje që ai i ka quajtur “të ndjeshme” por “shumë të rëndësishme, më saktësisht çështjet e kërkesave pronësore e financiare si dhe aranzhimet për komunitetet joshumicë në Kosovë”.

“Bisedimet nuk janë gjithmonë të lehta. Prandaj unë jam i lumtur të shoh përkushtim dhe respekt nga të dyja palët. Mirëpres faktin se ata e konfirmuan këtë së bashku në deklaratën e përbashkët ku u shprehen se e kanë si prioritet të lartë integrimin në BE dhe vazhdimin e punës në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Borrell.

Borrell po ashtu tha se “është e natyrshme që qëndrimet të jenë të ndryshme, por se ata kanë ardhur këtu për të gjetur gjërat e përbashkëta dhe të punojnë drejt normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve të tyre, duke u përballur më të gjitha çështjet e hapura”.

Borrell tha se në këtë takim do të bisedohen për aranzhimet për komunitetet joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare dhe pronësore.

“Të dyja këto tema janë shumë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për raportet e ardhshme mes Kosovës dhe Serbisë dhe për jetën e përditshme të njerëzve”, ka thënë Borrell.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë zotuan se do t’i japin prioritet më të lartë integrimit në Bashkimin Evropian dhe vazhdimit të punës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ata e bënë këtë zotim te përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga BE-ja.

“Ata gjithashtu u zotuan se do t’i dyfishojnë përpjekjet e tyre për të siguruar rreshtimin e mëtejshëm krah BE-së, në përputhje me detyrimet e tyre përkatëse”, thuhet në deklaratë.

Hoti dhe Vuçiq po zhvillojnë sot një raund të ri bisedimesh në Bruksel, të ndërmjetësuar nga Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

Javën e kaluar, në Shtëpinë e Bardhë, Hoti dhe Vuçiq kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin ekonomik, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

“Në këtë aspekt, dokumentet për të cilat është rënë dakord së voni në Uashington, duke u mbështetur në angazhimet e mëparshme të palëve lidhur me dialogun, mund të japin një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme, për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në deklaratën e lëshuar të hënën nga BE-ja.

Në Bruksel, në takimin e sotëm trepalësh, siç kanë paralajmëruar edhe burimet e BE-së, edhe vetë palët në dialog, pritet të arrihet pajtim për tri temat për të cilat kanë biseduar në takimet e mëhershme ekspertët.
Shtuar më 07/09/2020, ora 12:55

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori