Detajet e vjedhjes së bankomatit, autorët të maskuar me maskat e RENEA dhe uniforma policie
Një bankë e nivelit të dytë ka rënë pre e vjedhjes nga persona ende të paidentifikuar, të cilët kanë thyer vetratën kryesore dhe kanë mundur të futen në ambientet e brendshme të saj.

Autorët kanë thyer bankomatin që ndodhet në cepin e godinës, duke marrë kasetën e parave. Më pas ata janë larguar me një makinë që i priste pak metra më tutje, duke u nisur drejt qytetit të vogël të Shijakut.

Ngjarja u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së dielës, në Lagjen 14 të qytetit bregdetar, e njohur ndryshe si Shkozet. "Më datë 09.06.2019, në Lagjen Nr.14, Durrës, në orët e para të mëngjesit, persona të paidentifikuar kanë vjedhur një bankomat të një banke të nivelit të dytë, ku dyshohet të kenë marrë një sasi lekësh ende të papërcaktuar. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve", tha Policia nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Për rastin në fjalë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, që ka nisur nga puna për dokumentimin e ngjarjes. Menjëherë grupi i hetimit ka nisur me këqyrjen e skenës së vjedhjes, ku krahas dëmtimit të bankomatit, inspektorët konstatuan se ishte thyer edhe vetrata e autorët kishin mësyrë në ambientet e brendshmebankës.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, autorët kanë qenë dy persona që marrin pjesë në thyerjen e vetratës dhe të bankomatit, ndërsa një bashkëpunëtor i tretë i priste në makinë disa metra më tej. Kamerat e sigurisë së bankës kanë regjistruar të gjithë sulmin e autorëve, të cilët ishin të veshur me uniformë të forcave RENEA, ndërsa në kokë mbanin maskë dhe sipër saj kapele, me qëllim që hetuesit ta kenë të vështirë për t’i identifikuar.

Nga çfarë shihet nga pamjet, autorët fillimisht kanë thyer vetratën ballore të bankës, janë futur në ambientet e brendshme të saj dhe kanë kontrolluar nëpër sirtarët e mobilieve që ndodheshin në sportel. Por nuk kanë mundur të gjejnë asgjë, pasi në përfundim të punës punonjësit e bankës i kishin boshatisur arkat. Në këto kushte, duke mbetur duarbosh, ata kanë thyer bankomatin që ndodhej në pjesën e jashtme të godinës dhe morën kasetën e parave. Nuk dihet ende vlera që autorët përfituan nga ky aksion.

Pritet që hetuesit përmes pamjeve nga kamerat e sigurisë të arrijnë në një identikit të autorë dhe më pas në identifikiin e tyre. "Po hetojmë me intensitet për të identifikuar autorët. Kemi siguruar pamjet e kamerave të sigurisë dhe po i analizojmë ato. Duken qartë personat që kanë kryer vjedhjen, por na duhet shumë punë për t’i identifikuar, pasi ishin të maskuar.

Nga guximi që kanë pasur për të hyrë në ambientet e brendshmebankës, duke e ditur që do të fiksoheshin nga kamerat, mendojmë se ky grup kriminal nuk është nga Durrësi. Ne po hetojmë dhe shumë shpejt kemi besim se do ta zbardhim ketë ngjarje dhe do të arrestojmë autorët", thanë burime nga grupi hetimor për gazetën Panorama.
Shtuar më 10/06/2019, ora 18:37

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori