Detajet e horrorit në Itali, si u vra foshnja shqiptare nga dy qen pitbull

Lajmi i tmerrshëm i vdekjes së një foshnje shqiptare vetëm një vjeç e cila vdiq si pasojë e sulmit nga dy qen pitbull tronditi Italinë dhe Shqipërinë.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në komunën e Flero, në Breshia të Italisë.

Sipas mediave italiane, vogëlushja jetonte me nënën e saj tek gjyshërit, pasi babai, shqiptar, ishte në Gjermani për të kërkuar punë, pasi e kishte humbur punën në Itali.

“Tgcom” shkruan se në momentin kur ndodhi ngjarja, 1-vjeçarja ishte në shtëpi bashkë me gjyshen dhe gjyshin, pasi nëna 22-vjeçare (italiane) ndodhej në punë.

Pasi doli në oborrin e shtëpisë për të luajtur, ajo u sulmua egërsisht nga dy qentë e gjyshit të saj.

Pavarësisht se ky i fundit ndërhyri për ta shpëtuar, nuk arriti të shpëtonte vogëlushen.

Mësohet se vajza mori lëndime të mëdha në kokë, të cilat i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Sakaq, edhe gjyshi ndodhet i shtruar në spital me demtime, por jashtë rrezikut për jetën. Mediat italiane raportojnë mes të tjerash se nëna e vogëlushes për shkak të shokut të madh që përjetoi pas lajmit të tmerrshëm, është shtruar në spital. /albeu.com/
Shtuar më 18/09/2017, ora 09:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori