Rusia rrëzon tre dronë ukrainas afër Moskës

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë (MMR) ka thënë të mërkurën se i ka rrëzuar tre dronë ukrainas në jugperëndim të Moskës, kryeqytetin rus që po përballet me një varg sulmesh ajrore së fundmi.

Ukraina sulmoi në orën 05:00, duke i përdorur “tri mjete ajrore pa pilot ndaj objekteve në rajonin Kaluga”, tha Ministria ruse në Telegram.

“Të gjithë dronët u vërejtën dhe u shkatërruan me kohë nga sistemet mbrojtëse ajrore të Rusisë”, tha MMR.

Guvernatori i Kalugas, Vladislav Shpasha, tha se dronët u rrëzuan në jug të rajonit, qindra kilometra larg jugperëndimit të Moskës.

“Nuk ka pasoja në njerëz dhe infrastrukturë”, tha Shapsha.

Ky sulm ajror është të paktën i pesti këtë muaj mbi rajonin Kaluga, të cilat Rusia thotë t’i ketë parandaluar.

Zyrtarët rusë thanë më herët se i kishin interceptuar sulmet me dronë në këtë rajon më 3, 7, 10 dhe 12 gusht.

Deri në sulmet e muajit të fundit, kryeqyteti rus dhe rrethinat e tij nuk ishin sulmuar gjatë luftës në Ukrainë, të cilën Rusia e nisi para më shumë se një viti.

Javën e kaluar, dy sulme me dronë ndodhën në qarkun financiar të Moskës, njëri prej të cilëve shkaktoi dëme të vogla në një ndërtesë të lartë biznesi. Në maj, disa dronë u rrëzuan pranë Kremlinit.

Më 30 korrik, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se lufta në Rusi po vinte./rel


Shtuar 16.08.2023 08:42