Shqiptarët braktisin Greqinë për Gjermaninë, pjeshkët mbetën në pemë, pronarët i shtrohen vetë punës: Askush tjetër nuk e bën dot

Në Greqi tashmë është sezoni i vjeljes së pjeshkave si edhe të prodhimeve të tjera të sezonit, por fermerët janë duke u përballur me në problem shumë të madh, të cilin e hasën edhe vitin e shkuar: Mungesa e krahut të punës.

Mediat greke raportojnë se vetëm rajoni i Peloponezit ka nevojë për 50 000 – 60 000 punëtorë nëpër fusha gjatë sezonit të vjeljeve, por vazhdimisht haset deficit në këtë drejtim pasi shqiptarët që më parë bënin këto punë, ose janë orientuar në sektorë të tjerë ose janë larguar për në vendet e tjera të BE-së, kurse të tjerët që ndodhen aty nga Pakistani apo Banglazhedi, zor se “shtrohen” nëpër fusha, raporton AlbEu.com.

Grekët po synojnë që të bëjnë një marrëveshje me Egjiptin për punëtorë sezonalë, por procedurat me këtë shtet zgjasin shumë dhe ka shumë burokraci duke e nërë thuajse të pamundur sjelljen e punëtorëve nga ky shtet.

Një fenomen i tillë ka bërë që edhe vetë grekët t’i shtrohen punës nëpër fusha tashmë, ku krahas atyre që kanë nevojë për para, janë edhe vetë pronarët që po japin një dorë, ndryshe nga shumë vite më parë.

Por, grekët kanë një fije shprese nga India që ka një popullsi shumë të madhe.

“Tashmë ka interes nga punëtorët indianë dhe madje mësoj se ambasada greke në Nju Delhi është përforcuar me staf, që do të thotë se procesi i vizave mund të përshpejtohet. Besoj se ky interes do të rritet. Por, duke qenë se udhëtimi nga India në Greqi është i shtrenjtë, duhet që punëtorëve t’u sigurohet punë gjatë gjithë vitit. Për shembull, për të siguruar që nga fillimi i majit dhe për disa muaj do të punojnë në Imathia për pjeshkët, më pas do të shkojnë në Halkidiki për ullinjtë, më pas do të punojnë në vjeljen e Kivit pas 15 tetorit dhe më vonë për portokallet në Greqinë Jugore”, shpjegon zoti Giannakakis , Presidenti i Unionit të Fermerëve në Greqi. /albeu.com


Shtuar 2.08.2023 14:31