Del shkaku i tragjedisë, sistemi që mori më qafë 346 njerëz në dy aksidente ajrore
Shkaku i rrëzimit të avionit të “Ethiopian Airlines”me 157 persona, është i njëjtë me atë të Lion Air, në Indonezi në muajin Tetor, ku humbën jetën 189 persona.

Në këtë përfundim dolën hetuesit etiopianë pas analizimit paraprak të njërës prej kutive të zeza.

Ndonëse autoritetet vendase nuk dhanë detaje për defektin që rrëzoi avionin, dyshohet se tragjedia erdhi pas informacioneve të pasakta sa i përket balancës së avionit. Në të dy rastet e tragjedive ajrore avioni ishte i të njëjtit model, Boeing 737 Max 8 dhe shkaktari është sistemi MCAS.

Çfarë është sistemi MCAS

Ky sistem është futur posaçërisht me modelet 737 MAX të kompanisë Boeing në garën për të konkurruar me rivalin e madh europian Airbus.

Për të konkurruar me Airbus A320 NEO, Boeing-ut iu desh që të vendoste motorë të tjerë më të mëdhenj në avionin e ri. Kjo detyronte kompanitë që t'i zhvendoste ata disa centimetra para tek krahët duke ndikuar kështu në aerodinamikën e avionit.

Me zhvendosjen e motorëve avioni ka tendencën që të ngrejë majën (hundën). Në rastin më të keq kjo mund të shkaktojë efektin e çarjes së fërkimit me ajrin, pra ngadalësimin e motorëve dhe rrëzimin e avionit (Shiko videon siper).

Për ta shmangur këtë efekt automatikisht Boeing ka instaluar sistemin e quajtur MCAS (Maneuvering Characteristics Augmentation System), që me të kuptuar situatën e vështirë të fluturimit hunda e avionit ulet automatikisht e kësisoj i shmanget efektit të fërkimti me ajrin.

Megjithatë në fillim Boeing nuk ua komunikoi plotësisht këtë risi pilotëve dhe as nuk e instaloi atë gjatë stërvitjes së tyre me avionin e ri.

Për këtë arsye pilotët e shoqërisë ajrore indoneziane Lion Air në tetor 2018 pas nisjes nga Xhakarta pa pasur dijeni për këtë sistem kanë luftuar minuta të tëra me avionin, që me sa duket gabimisht vazhdimisht e ulte hundën në mënyrë automatike, ndërkohë që pilotët përpiqeshin për të kundërtën dhe tentonin të fitonin lartësi.

Fundi ishte tragjik, avioni 737 Max 8 ra në detin Java, 189 njerëzit në bord gjetën vdekjen. Shoqatat e pilotëve në mbarë botën kritikuan mungesën e komunikimit nga Boeing, ndërkohë po vazhdon hetimi i shkakut përse është rrëzuar avioni.
Shtuar më 18/03/2019, ora 11:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori