Del një tjetër i penduar nga banda e Rinasit?
Prokuroria dhe policia po punojnë që përveç Alkond Bengasit, të bëjnë bashkëpunëtor të drejtësisë edhe një nga katër të arrestuarit e tjerë deri tani për grabitjen e 6.5 milionë eurove në pistën e Rinasit.

Kjo përpjekje e hetuesve vjen pasi 34-vjeçari nga Elbasani nuk i njeh të gjithë anëtarët e bandës, megjithëse nga dëshmia e tij u identifikuan disa prej tyre.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë për Klan se i arrestuari, të cilit i është ofruar bashkëpunimi, njeh ata që kryen grabitjen në pistë dhe personat që i kanë ndihmuar për t’u larguar dhe më pas fshehur në zonë e Fushë-Krujës.

Të arrestuar deri tani, përveç të penduarit të parë Alkond Bengasi, janë edhe Elton Pikli, Renaldo Sula, Saimir Çela dhe Oltian Veseli.

Hetuesit që po përpiqen të zbardhin rolet që ka pasur secili dyshojnë se i gjithë grupi përbëhet nga 17 anëtarë.

Nëse një i arrestuar pranon të bashkëpunojë me drejtësinë përfiton uljen e dënimit, si dhe i garantohet mbrojtja nga shteti, atij dhe familjarëve të afërt.

Në rast dënimi me akuzat që janë ngritur, ata rrezikojnë 20 vite burg, ndërsa bashkëpunimi me autoritetet ia çon këtë masë deri në 7 vite.

E njëjta taktikë është ndjekur nga prokuroria edhe në grabitjet e para të kryera në Rrugën e Rinasit. Në këtë dosje akuzat arriti të pendojë dy nga grabitësit, të cilët më pas zbardhen tre grabitje dhe personat që morën pjesë në të.

Nga dëshmia e të penduarit Alkond Bengasi, ai ka identifikuar si persona që kanë pasuri dijeni për grabitje të arrestuarit e deritanishëm, dy vëllezërit e shpallur në kërkim Klement dhe Eldi Çalës, si dhe Admir Muratajn, i cili mbeti i vrarë në grabitje.

Shtuar më 26/04/2019, ora 10:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori