Debati kaotik, Trump dhe Biden i rikthehen fushatës
Presidenti republikan Donald Trump dhe rivali i tij demokrat, ish nënpresidenti Joe Biden, iu rikthyen fushatës të mërkurën, një ditë pasi këmbyen tallje dhe ofendime, në një debat të përshkruar nga ekspertët e zgjedhjeve si më i keqi ndonjëherë në historinë moderne të politikës amerikane.

Presidenti Trump shkon në Minesota, një shtet vendimtar për rezultatin e zgjedhjeve, ku ai humbi me një diferencë të ngushtë në vitin 2016 por që shpreson ta rimarrë këtë herë. Sondazhet tregojnë se presidenti është në disavantazh në këtë shtet dhe në të gjithë vendin, pesë javë përpara zgjedhjeve të 3 nëntorit.

Presidenti Trump po merr pjesë në një aktivitet për grumbullim fondesh në një shtëpi private pranë Mineapolisit, qyteti më i madh i këtij shteti, dhe më pas shkon në Duluth, qyteti port në skajin më perëndimor të liqeneve Great Lakes, për një tubim me mbështetësit e tij.


Biden filloi një udhëtim fushate me tren përgjatë zonave të ndryshme në Pensilvani dhe Ohajo, dy shtete fushëbetejë ku presidenti Trump arriti të fitojë katër vjet më parë kundrejt demokrates Hillay Clinton. Por sondazhet tani tregojnë se zoti Biden kryeson në garën për president.

Biden po përpiqet të fitojë veçanërisht votat e punëtorëve në të dyja këto shtete që histrorikisht kanë votuar për demokratët por që votuan për presidentin Trump në vitin 2016.

Pasi e cilësuan njëri-tjetrin gjatë debatit të së martës si të paaftë për të drejtuar vendin për katër vitet e ardhshme, të dy kandidatët rifilluan sulmet e tyre të mërkurën në Twitter. Presidenti Trump pohoi, “Askush nuk e do gjumashin Joe si drejtues, përfshi të Majtët Radikalë (të cilët i humbi mbrëmë.).” Presidenti tha se Biden-i tregoi “mungesë respekti” për Bernie Sandersin duke “e quajtur praktikisht një të humbur!” Zoti Sanders, senator nga Vermonti i cili drejton krahun progresist të demokratëve, ishte pretendenti i fundit përballë Biden në garën për të marrë emërimin e partisë para se të pranonte humbjen në fillim të vitit.

Biden-i dha vlerësimin e tij për debatin, duke thënë, “Ju keni dëgjuar shumë gjëra të dalin nga goja e Presidentit Trump. A mund të më thoni një gjë që tha ai që do t’ua bëjë jetën tuaj më të mirë? “Në një video, fushata e zotit Biden sulmoi presidentin Trump që nuk pranoi gjatë debatit të refuzonte mbështetjen e supremacistëve të bardhë.

“Nuk ka si të thuhet ndryshe: Presidenti i Shteteve të Bashkuara refuzoi të hedh poshtë supremacistët e bardhë në debatin e mbrëmshëm,” tha fushata e Biden.

Ashtu siç pritej, zyrtarët e të dyja fushatave ,Trump dhe Biden ishin të kënaqur me paraqitjen e kandidatit të tyre në debat, por analistët politikë shprehën keqardhje për mllefin dhe faktin që Presidenti Trump dhe rivali i tij Biden shpesh ndërprenë njëri-tjetrin dhe nuk i linin radhë njëri-tjetrit. Trump bëri numrin më të madh të ndërhyrjeve./VOA
Shtuar më 01/10/2020, ora 08:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori