Emigrantët në fokus! Nga takimi me Rishi Sunak te diskutimi me komunitetin shqiptar, zbardhet agjenda e takimeve të Ramës në Londër

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Londër, Britani të Madhe, në një vizitë zyrtare.

Rama do të takohet pasditen e sotme me kryeministrin britanik Rishi Sunak dhe fokusi i diskutimeve të tyre do të jetë çështja e emigrantëve të paligjshëm

Duke qenë edhe takimi i parë zyrtar mes Ramës dhe Sunak, mësohet se do të diskutohet edhe për thellimin e bashkëpunimit dhe marrëdhëniet bilaterale mes dy vendeve.

Një vëmendje do të marrë edhe çështja e krimit të organizuar.

Ndërkohë, gjatë paradites, kreu i qeverisë do të takohet me komunitetin shqiptar në Londër, me përfaqësues të biznesit.

Rreth orës 12, kryeministri do të zhvillojë një takim me kryetarin e Dhomës së Komunëve, Lindsay Hoyle. Takimi me homologun Sunak do të mbahet rreth orës 16:00 dhe më pas pritet të ketë një deklaratë për mediat.

Përveç takimit me Sunak, Rama do të mbajë një fjalë në “London School Economy” dhe do të marrë pjesë në një takim që zhvillohet në Ministrinë e Jashtme britanike ku do të jenë pjesëtarë të komunitetit shqiptar si dhe nga komunitete të tjera. Të premten është programuar edhe një takim mes ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi me homologen britanike Suella Braverman.