Atentati ndaj biznesmenit Ardian Nikulaj, avokatët e autorëve të dyshuar paralajmërojnë: Nuk do të lejojmë ekstradimin e tyre nga Anglia

Në gjykatën e ekstradimeve në Londër është zhvilluar një seancë parapërgatitore e ekstradimit të Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman dhe shqiptarit me pasaportë britanike Edmond Haxhia.

Ata kërkohen nga drejtësia shqiptare nën dyshimin e bashkëpunimit në vrasjen e Ardian Nikulaj në 19 prill 2023! Nga të katër të arrestuarit, vetëm Edmond Haxhia preferoi ta ndjekë këtë seancë prezent në gjykatë. Ndërsa, Harriet Bridgeman iu bashkua “online” nga shtëpia e saj. Lewis Green, avokati mbrojtës i Thomas Mithan, paralajmëroi se ai do të kërkojë sjelljen në Gjykatë e një raporti nga një ekspert i pavarur për kushtet e burgjeve në Shqipëri.

Të tillë raporte ekspertësh janë përdorur edhe në të shkuarën për të bllokuar por pa sukses, ekstradimet e shqiptarëve nga Anglia.

Gjykata e Lartë angleze “Royal Court of Justice” për këtë çështje është shprehur disa herë duke vendosur se “kushtet në burgjet shqiptare, përmbushin standardet për të ekstraduar nga territori Anglisë, të kërkuarit nga drejtësia shqiptare”. Gjykatësi Daniel Sternberg vendosi vijimin e lirisë me kusht nën monitorimin elektronik për Bridgeman, ndërsa tre të bashkë-akuzuarit e tjerë do të vijojnë qëndrimin në paraburgim.

Po ashtu, gjykatësi Sternberg kërkoi nga avokatët mbrojtës të dorëzojnë në gjykatë argumentet mbrojtës më 29 Gusht. Ndërsa shteti shqiptarë kërkues i ekstradimit të këtyre personave, përmes përfaqësuesit nga “Crown Prosecution Service”, Prokuroria angleze, duhet të dorëzojë prapësimet ligjore më 10 Tetor. Me realizimin nga palët të këtyre urdhëresave të gjykatësit Daniel Sternberg i hapet rruga shqyrtimit të kërkesës së Shqipërisë në mesin e Nëntorit.

Qëndron ende në arrati britaniku tjetër Harry Simpson person me Kartelë të Kuqe Interpoli pasi një urdhër arresti nga Policia Shqiptare.

Sakaq, në Marok është arrestuar pasi ishte i shpallur në kërkim nga Interpoli Ruben Saraiva njeriu që sipas policisë shqiptare është autori vrasjes në Shëngjin të Ardian Nikulajt. Edhe ndaj tij kanë nisur procedurat e ekstradimit, raportoi “TCh” që bën me dije se e ka ndjekur “online” seancën.

REFUZIMI

Referuar të dhënave që vijnë nga Anglia bëhet me dije se në fakt të gjithë të akuzuarit kanë mohuar të kenë lidhje me akuzat e ngritura nga Shqipëria! Shtetasit britanikë kanë këmbëngulur se kanë qenë vetëm turistë ndërkohë që pretendimet e shqiptaro-britanikut janë më konkrete!

Ai mohon të ketë pasur probleme ndonjëherë me familjen Nikulaj! Po ashtu, ai ka mohuar të ketë financuar apo organizuar atentatin ndaj Ardian Nikulajt duke rrëfyer për drejtësinë britanike të gjithë itineraret e ditëve të tij të fundit në vendin tonë! Sipas të dhënave të ardhura nga mbrojtja e shtetasit portugez të arrestuar nën akuzën e vrasjes, bëhet me dije se edhe ai refuzon të ekstradohet! Ai ka mohuar lidhjen me krimin e rëndë ndërkohë që ka zgjedhur të përfaqësohet nga mbrojtës britanikë./bw