Dalin dëshmitë e 'fajdexhinjve' të Shkodrës: Radovani na mashtroi me premtimin e Edi Ramës
Dosja e bujshme e “fajdexhinjve” në Shkodër duket se po merr një tjetër rrjedhë.

Në Gjykatën e Apelit, 12 të arrestuarit me akuzën se i kanë dhënë hua me interes dy djemve të Paulin Radovanit dhe vetë këtë të fundit, kanë rrëfyer një tjetër anë të kësaj historie.

Dëshmia më e fortë para Gjykatës ishte ajo e Pashko Vuksanelajt. 54-vjeçari pranoi se u ka dhënë para me interes dy djemve të Paulin Radovanit, por duke theksuar se norma e përqindjes ka qenë 3, aq sa është e lejuar dhe me huan që njeh ligji. Vuksanelaj dëshmoi se vetëm për periudhën janar-mars të këtij fiti, familja e ish-prefektit ka marrë një borxh prej 1.4 milionë eurosh.

Ai thotë se paratë u janë marrë dhe personave që nuk janë aspak në hetim. 54-vjeçari akuzoi se Prokuroria e rrethit dhe disa gjyqtarë të Shkallës së Parë kanë mbajtur linjën e ish-prefektit për shkak të lidhjeve të tyre. “Ai vendim në Shkallë e Parë është dhënë nën presion politik.

Gabimet duhen pranuar. Dy ditë përpara ishte në Shkodër Kryeprokurorja, kurse një ditë para Kryeministri që përgëzoi Policinë në një kohë kur ky Kryeministër ka fyer të gjitha institucionet dhe i ka kërcënuar. Paulin Radovani, në vitin 1997 kur pati probleme te fabrika, pasi iu dogj, shkoi në Malin e Zi te disa njerëz të mi. Kur u kthye dhe rinisi punën në fabrikë, më thirri mua dhe njerëzit e mi dhe na dha një drekë, aty e njoha.

Në korrik 2018, më merr në telefon, por unë isha në spital. Pasi dola, më mori prapë. Shkova dhe e takova dhe më çoi te një tokë afër fabrikës. Më tha që i kishte premtuar Edi Rama se në tokën e tij do të sillte Drejtorinë e Transporteve ose Targat siç i themi, por më tha se i duheshin 50 mijë dollarë se ishte në vështirësi. I thashë se do e ndihmoja dhe kur ia dërgova, kishte përgatitur një deklaratë jo në prezencën time dhe nga besimi që kisha, ia dhashë paratë dhe e firmosa.

Pas pak kohësh më mori prapë dhe më tha jam në dorën tënde se po falimentoj. Më duhen më tha edhe 50 mijë dollarë për ta paguar tatimtaksat e punëtorëve të fabrikës. Ia dhashë. Më mori herën e tretë dhe më tha se më duhen edhe 50 mijë të tjera duke më treguar se deri në fund të 2018-ës ai do të përfitonte 1 milion e gjysmë euro, duke qenë se te toka e tij priste t’i shkonte Drejtoria e Transporteve. Ia dhashë sërish edhe herën e tretë dhe u bënë 150 mijë dollarë në total. Këto ia kam dhënë me 3 për qind në vit.

Në fund të vitit duhej të m’i kthente, por s’ma ktheu borxhin. Shkoj ta takoj dhe më thotë se kishte takuar në Tiranë zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Gjovalin Loka, duke i treguar për kërcënime dhe problemet. Mua më tha se ia kanë vrarë djemtë dhe se nuk e di ku i kishte, e inskenoi vrasjen e djemve sepse ata ishin gjallë dhe thjesht kishin ikur nga Shqipëria, transmeton panroama.

Në fillim të vitit kam dashur ta takoj disa herë, por nuk përgjigjej në telefon. Një ditë e takova poshtë pallatit të tij dhe më çoi në kafe. Më tha kështu e ka puna ime, lekët t’i kam borxh, por për momentin s’i kam, ndërsa më tregoi sërish bisedat e tij me Edi Ramën për 1 milion e gjysmë euro që priste ende të përfitonte. Pra, unë jam mashtruar nga Paulin Radovani”, ka përfunduar 54-vjeçari i arrestuar.
Shtuar më 03/04/2019, ora 14:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori