"Çudirat" e Lali Erit: Blen 450 mijë dollar inerte kur tërmeti krijoi plot rrënoja
Në një periudhë të tillë sikundër ndodhet Shqipëria, ku flitet për rindërtimin e vendit pas tërmetit të 26 nëntorit, vazhdojnë të dalin shuma të majme parash nga bashkia Tiranë për "blerje inerte".

Ndërmarrja e Punëtorëve nr.2, Tiranë, një strukturë në varësi të Bashkisë së Tiranës së drejtuar nga Erion Veliaj, ka shpenzuar rreth 450 milionë lekë (të vjetra) ose rreth 450 mijë dollarë amerikanë për blerje inertesh.

Në Buletinin e Prokurimeve, të publikuar këtë të Martë (10 Dhjetor 2019), Ndërmarrja nr.2 e Punëtorëve ka shpallur fitues kompaninë “Shpresa-AL”, në tenderin me objekt “Blerje inerte”, me fond 433 milionë lekë (të vjetra) me TVSH, shkruan BoldNews.

Tenderi është shpallur në Shtator 2019 dhe, pas kryerjes së procedurave, fituesi i tij është shpallur në 26 Nëntor 2019, pikërisht në ditën kur qendra e Shqipërisë u trondit nga tërmeti 6.4 ballë e shkallës Rihter.

Në një situatë kur disa zona të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, kanë “tepricë” inertesh, si pasojë e rrënojave të krijuara nga tërmeti, Bashkia e Tiranës vijon procedurat për “blerje inertesh”.

Bashkia e Tiranës, për shkak të situatës së krijuar, ka të gjithë hapësirën ligjore për të anuluar shpenzimet e tenderit për “blerje inertesh”. Në çdo rast, penaliteti për prishjen e kontratës do të jetë shumë më i vogël sesa shpenzimi i parashikuar.

Për më tepër, Bashkia e Tiranës ka mundësinë të aplikojë parashikimet e vendosura nga Ministria e Financave “Mbi prioritetin e pagesave në kushtet e gjendjes së shpallur të fatkeqësisë natyrore”, të shpallur pas miratimit të Vendimit të Këshillit të Ministrave për “Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, të datës 27 Nëntor 2019, një ditë pas tërmetit tragjik.
Shtuar më 10/12/2019, ora 15:46

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori