A do ketë sukses Meloni me planin e saj për frenimin e zbarkimeve ilegale në Itali?

Nga Nicholas Farrell “The Spectator

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Pak njerëz mund të pretendojnë se ardhja e mbi 100.000 emigrantëve të paligjshëm në Britani nga Franca me varka të vogla që nga viti 2018, nuk është një katastrofë. Por cila fjalë do ta përshkruante më mirë mbërritjen në Itali nga Afrika Veriore në rrugë detare të 100.000  emigrantëve të paligjshëm që nga fillimi i këtij viti?

Shifra aktuale është 2 herë më e madhe sesa numri i zbarkimeve të paligjshme nga deti gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Kjo do të thotë se totali i këtij viti, do të thyejë gati me siguri rekordin e vendosur në 2016-ën, që ishte 181.436.

Vetëm fundjavën që kaloi më shumë se 4.000 emigrantë mbërritën me varka në ishullin e vogël italian të Lampedusa-s, që ndodhet në gjysmë të rrugës midis Tunizisë dhe Italisë.

Numri rekord i mbërritjeve të paligjshme të emigrantëve nga deti në Itali këtë vit duket se vërteton faktin që kryeministrja e re konservatore e vendit, Giorgia Meloni, ashtu si homologu i saj britanik Rishi Sunak, ka dështuar plotësisht në mbajtjen e premtimit të dhënë gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2022 për të ndalur zbarkimet.

Në fakt situata në Itali – pra në Evropë – do të ishte shumë më e keqe po të mos ishte ajo në krye të vendit. Sepse ajo e di, siç e dinë që të gjithë, që sapo emigrantët zbarkojnë në vend, është praktikisht e pamundur t’i dëbosh kudo qoftë, e lëre më pastaj në Ruanda.

Ndaj fokusi kryesor i Melonit nuk është në trajtimin e emigrantëve pasi mbërrijnë në Itali, por në ndalimin e tyre për të shkuar në Itali. Që kur erdhi në pushtet tetorin e vitit të kaluar, ajo ia ka kushtuar një pjesë të madhe të energjisë së saj presionit ndaj liderëve hezitues të Bashkimit Evropian, për të rënë dakord mbi faktin se kriza e emigrantëve nuk është vetëm problemi i Italisë, por i gjithë Evropës dhe se BE-ja duhet ta paguajë – pra të japë ryshfet – Afrikën e Veriut për t’i penguar emigrantët që nga pika nga ku nisen për të ardhur në Evropë.

Tradicionalisht, Libia ka qenë pika e preferuar e nisjes së trafikantëve të njerëzve në Mesdheun qendror, edhe pse është mbi 300 milje larg Siçilisë. Megjithatë, për herë të parë këtë vit ka më shumë nisje emigrantësh nga Tunizia, e cila është shumë më afër Italisë.

Tunizia është një vend në prag të falimentimit dhe kolapsit. Ëndrrat që frymëzuan Pranverën e saj Arabe janë zhdukur në shkretëtirën e Saharasë. Presidenti i saj, Kais Saied, që u zgjodh në këtë post në vitin 2019, e pezulloi demokracinë në vitin 2021 dhe që nga ajo kohë sundon përmes dekreteve.

Prandaj Meloni e ka kthyen kokën nga Tunizi. Në mars, ajo i paralajmëroi liderët e BE-së në një samit të Këshillit Evropian se “nëse Tunizia zhytet në kolaps” Italia – dhe për pasojë Evropa – rrezikohet nga mbërritja nga deti e deri 900.000 emigrantëve nga Tunizia”.

Ndërkohë, shërbimet sekrete italiane paralajmëruan për një numër tjetër prej 685.000 emigrantësh të gatshëm të zbarkojnë në Itali nga Libia, vend që ka qenë tradicionalisht pika e nisjes së tyre që kur “ne” rrëzuam nga pushteti kolonel Gaddafin në vitin 2011.

Edhe pse anëtarë themelues të BE-së, italianët tallen vazhdimisht nga francezët dhe gjermanët cinikë, pavarësisht historisë së Italisë si zemra rrahëse e Evropës. Por Meloni po shfaqet vazhdimisht si liderja më e rëndësishëm në Evropë. Dhe kjo mbi të gjitha për shkak të forcimit të së djathtës në përgjithësi në gjithë kontinentin.

Por edhe për shkak të dështimit të presidentit francez Emmanuel Macron apo kancelarit gjerman Olaf Scholz për të mbushur vakuumin e lënë nga Angela Merkel si liderja de facto e BE-së. Në muajin korrik, Bashkimi Evropian nënshkroi një marrëveshje në Tunis me presidentin Saied, të nxitur nga Meloni pas disa muajsh aktiviteti intensiv diplomatik.

Brukseli premtoi t’i japë Tunizisë 105 milionë euro për të ndaluar anijet me emigrantë. Po ashtu BE i dha 150 milionë euro ndihmë si këstin e parë të një pakete të gjerë ndihmash dhe investimesh në shumën totale 1 miliardë euro. Ky pakt është i ngjashëm me marrëveshjen që BE-ja arriti në 2016-ën me Turqinë, pas vendimit katastrofik të Merkel për t’i hapur portat për të gjithë emigrantët në vitin 2015.

Ajo ra dakord t’i jepte Erdoganit 6 miliardë euro për të ndalur kalimin e anijeve me emigrantë drejt Greqisë. Në rastin e Turqisë, shumë nga ata që kërkonin të kalonin në Greqi ishin refugjatë të vërtetë nga Siria dhe Afganistani. Në rastin e Tunizisë dhe Libisë, shumë prej tyre vijnë nga vende që nuk janë zona lufte.

Mendohet se në Itali ndodhen të paktën gjysmë milioni emigrantë të paligjshëm. Shumica zhvendosen në vendet më në veri, si Britania, ku kushtet janë më të mira. Vitin e kaluar, 105.129 emigrantë mbërritën nga deti në Itali. Tre vendet kryesore të origjinës ishin Egjipti, Tunizia dhe Bangladeshi, ku nuk ka luftëra, megjithëse Siria dhe Afganistani u renditën në vendin e katërt dhe të pestë.

Pati 77.195 kërkesa për azil. Nga kërkesat e regjistruara në vitin 2022, vetëm 12 për qind iu dha statusi i refugjatit, edhe pse shumë të tjerëve iu dha leja për të qëndruar. Por ndonjëherë Italia vetëm deporton rreth 5000 emigrantë në vit. Pra, ka shumë pak ndryshim. Zbarkimet e emigrantëve nga deti këtë vit e kanë tejkaluar tashmë totalin e vitit të kaluar.

Dhe 3 vendet kryesore të origjinës nuk janë zona lufte: Guinea, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia.

Por të paktën marrëveshja e nënshkruar së fundmi me Tunizinë po e redukton disi fluksin.

Falë marrëveshjes së BE-së të ndërmjetësuar nga Meloni, roja bregdetare tuniziane ka ndalur dhe kthyer mbrapsht këtë verë mbi 40.000 emigrantë, krahasuar me vetëm 15.000 gjatë gjithë vitit 2022. Vetëm natën e 14-15 gushtit ata ndaluan 18 varka me 630 emigrantë në bord.

Sikur roja bregdetare franceze të bënte të njëjtën gjë në Kanalin anglez! Ndërkohë në Libi, që nga viti 2017, qeveritë e njëpasnjëshme të krahut të majtë në Itali kanë paguar dhe pajisur si duhet rojet bregdetare libiane për të ndalur dhe kthyer mbrapsht varkat me emigrantë që nisen nga brigjet libiane.

Aktualisht ata arrijnë të ndalin rreth 30.000 emigrantë në vit. E majta italiane dhe aleatët e saj globalë po përpiqen të heshtin mbi këtë iniciativë. Por edhe e djathta kur u ngjit në pushtet e kuptoi se nuk kishte alternativë. Në shkurt, Meloni rinovoi edhe për 3 vite të tjetra pagesat që i bën Italia rojes bregdetare libiane teksa u dërgoi edhe me 5 pesë anije të tjera patrullimi.

Lëvizja e radhës e Melonit do të jetë bindja e partnerëve të saj në BE që të krijojnë kampe në Afrikën e Veriut për t’i përpunuar kërkesat për azil. Por asaj mund t’i duhet të presë pas zgjedhjeve të majit të vitit të ardhshëm, në të cilat e djathta pritet të arrijë një fitore të madhe dhe të ketë për herë të parë në historinë e saj kontrollin e shumicës së Parlamentit Evropian. Megjithatë, një gjë është e sigurt:Meloni dhe Italia nuk mund ta mbrojnë të vetëm Evropën. /albeu.com


Shtuar 29.08.2023 15:21