Çmime stratosferike për maska e higjenizues, cili është veprimi i Prokurorisë
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetim për abuzimin e farmacive për rritjen e çmimeve të maskave dhe produkteve të tjera të higjenës, që lidhen me masat parandaluese ndaj koronavirusit.

Ashtu sikundër janë shprehur dhe qytetarët, çmimet e maskave janë dhjetëfishuar prej disa ditësh, ndërkohë që në shumë prej farmacive nuk ka fare sasi në shitje, për shkak se depot kanë vendosur që ti tëheqin nga tregu, duke i dërguar në vende që kanë pasur më herët emergjenca.

NJOFTIM PËR SHTYP

Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe nga administrimi i të dhënave operative në lidhje me veprimet e disa farmacive në drejtim të rritjes së çmimeve të produkteve të ndryshme ka regjistruar procedim penal për veprën penale të “Manipulimi i tregut” parashikuar nga neni 143/a/1 i Kodit Penal.

Aktualisht jemi në fazën e mbledhjes së informacioneve të nevojshme për evidentimin dhe dokumentimin e të gjitha rasteve, në të cilat dyshohet se disa subjekte në mënyrë abuzive dhe të paligjshme kanë rritur çmimet mbi produkte te ndryshme (maska mbrojtëse, produkte me përmbajtje dezinfektuese, etj), duke përfituar nga situata e krijuar për shkak të interesimit, në rang të marrjes së masave kundër Coronavirusit, në dëm të interesave të ligjshme, dhe në shkelje të normave ligjore.

Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo paraqitje jo e saktë, me dashje, e vlerës së një malli, shërbimi apo paraje, me qëllim çrregullimin e funskionimit të lirë dhe drejtë të tregut, është penalisht e dënueshme.

Vijojmë të ndjekim me interes të shtuar, çdo të dhënë në raport me rastin konkret, duke kërkuar mirëkuptimin dhe besimin e qytetarëve. Nga ana tjetër, mirëpresim çdo qytetar për informacionet që mundet të disponojnë.
Shtuar më 25/02/2020, ora 14:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori